|
|
IMZOT GJERGJ VOLAJ - IPESHKËV I
SAPËS (1905-1947)
Gjergji, në mësime gjithmonë i dalluar mbi të gjithë, vlerësohej me
medalje të arta të Kolegjit
Në fshatin Shirokë, në
atë shpat të malit Tarabosh, në freskinë e ajrit, qartësinë e liqenit
dhe në kundërmimin e blerimit të maleve, përgjithësisht ndër familje
peshkatarësh brez pas brezi kanë lindur fëmijë, pasardhës të mirë, të
zgjuar që në gjurmët e jetës kanë mbetur emra në zë, KOLIQI, HARAPI,
VOLAJ, RAKAJ, NOGA, RADOVANI, KOKAJ, etj.
Në familjet e këtij
fshati bëhej një jetë e brendëshme me të vërtetë e shenjtë me edukim,
punë dhe lutje.
E kesaj
natyre ishte familja e peshkatarit Cuk (Lazër) Volaj. Në thjeshtësinë e
një jete të varfër dhe të zgjuar, në këtë familje më 21 shtator 1905
lindi fëmija i parë, Gjergji. Shtëpia u mbush me dritë, jeta në familje
u bë më e gëzueshme, gjithmonë duke e falenderuar Zotin për këtë dhuratë
të bukur.
Më vonë një
gëzim i ri gëzoi prindërit. Në vitin 1910 një ndriçim i ri, lindi djali
i dytë Kola. Familja u plotësua për mrekulli, por krahas gëzimeve, dalin
përpara edhe vështirësi që duhen përballuar. Babai, kryefamiljar, vdiq i
ri dhe fëmijët e vegjël mbetën jetimë. Nëna Tone, nënë tipike katolike,
grua e bekuar, që çdo gjë ia kushtonte vullnetit të Zotit, e gjendur
ngusht në varfëri, gjen mbështetje për të rritur jetimët në famullinë e
Leonard Shajakaj në Bishkas, Theth e Shosh.
Gjergjin,
djalin e madh, e dërguan që të vazhdonte mësimet në Kolegjen Saveriane,
pasi ato fillore i kishte kryer në shkollën e Shirokës.
I lutej
nënës që ta bekonte për t'u bërë meshtar
Në mësime
gjithmonë i dalluar mbi të gjithë, vlerësohej me medalje të arta të
Kolegjës.
Më 1916
ishte 11 vjeç. Gjergji krejt i vogël, provoi thirrjen e Shpirtit të
Shenjtë. I lutej nënës që ta bekonte për t'u bërë meshtar. Nëna Tone,
gruaja me shpirt mirësie, me virtyte të rralla, nëna iu përgjigj, ia dha
bekimin, e uroi me zemër për rrugën e meshtarisë. Kështu bindemi se
ditët e lindjes së fëmijëve në këtë familje ishin aq të ndritshme dhe të
gëzueshme, kishte hyrë brenda Shpirti i Shenjtë me thirrjen e vet. Edhe
djali i dytë Kola (P. Viktori) provon në vetvete një thirrje
shpirtërore, t'i kushtohet jetës rregulltare të meshtarit.
I lutet
nënës dhe nëna aq e mirë, aq bujare, i bekoi duke i thënë: “U bëftë mbi
ju vullneti i Zotit!”. Ishte shembulli i përvujtërisë i një nëne
katolike.
Atëherë kur
ishin të vegjël, megjithëse me hallet e jetës, nëna e vet u këndonte:
“Flej
qetësisht n'at djep moj njome,
pusho
n'paqe me ej e zana,
si ma
t'mirin nder gjithë kombe
për Shqipni
tash t'rritë ty nana.”
(Nga D.
Ndre Zadeja)
Të ndjekim
jetën e Gjergjit
Në vitin
1926 rrugën e përgatitjes për meshtar e plotësoi me mësimet e larta në
Padovë në Itali. Edhe atje i respektueshëm u dallua në mësime. Kardinali
Dalla Costa, Ipeshkëv i Padovës, i prezantoi me përgjegjësin Delegatit
Apostolik në Shqipëri Della Pietra, studentin Gjergj Volaj, si ekzemplar
të veçantë.
Më 26
korrik 1930 u shugurua meshtar nga Imzot Lazër Mjeda. Ishte 25 vjeç.
Fillimisht
u emërua në Malin e Jushit, por shërbeu gjatë si famullitar në Shkrel.
Dom Gjergj Volaj, meshtar i ri, në natyrë i përshpirtshëm, me aftësi të
madhe gojtarie, me hapin e misionarit shpateve të maleve, i ëmbël pranë
vuajtjeve, ngushëllues në jetën e ashpër të malësorëve, fitoi admirimin
e besimtarëve dhe vlerësimin e hirearkisë kishtare.
Në vitin
1936, kur ishte vetëm 31 vjeç, me hijeshinë e meshtarit të devotshëm, me
pjekuri dhe dinjitet, u shugurua ipeshkëv për dioqezën e Sapës, me
qendër në Nënshat. Ishte më i riu ipeshkëv, por me aftësi dhe kulturë të
lartë. Krahas me kryeipeshkvin Imzot Gaspër Thaçi, Imzot Nikollë Deda,
Dom Ndre Zadeja, Dom Jak Ceka, Dom Luigj Prendushi, Dom Lek Dredha, Dom
Nikollë Mazrreku, Dom Loro Nogaj, etj, ishte organizator i Kishës në të
gjithë Zadrimën. Punoi si shembull i shkëlqyer i jetës katolike. Mbante
të gjallë (me letrat baritore, shprehje gojëtarie e shembuj frymëzues
veprimtarie) zemrat e besimtarëve, duke ia forcuar besimin në Zotin.
Mbahet
mend, në Shkodër më 26 maj 1946 ndërroi jetë Imzot Gaspër Thaçi.
Procesioni i përmortshëm nëpër rrugët e qytetit, megjithëse ishin marrë
masa tepër të rrepta nga pushteti që të pengonte në çdo mënyrë
procesionin, ai u bë aq madhështor dhe masiv, saqë u vlerësua si
manifestim i papërsëritshëm kundër komunizmit.
Në meshën e
përshpirtshme ceremoniale, fjalën e rastit e mbajti Imzot Gjergj Volaj.
Ende i mbetur në veshët tanë fjalimi i paharrueshëm prestigjoz historik,
madje i guximshëm, nga podi predikatar në Katedrale mbushnin si
asnjëherë, brenda e jashtë me popull besimtar e Shkodrën mbarë.
Paraqitja e Imzot Volaj si prijës me shkopin baritor në dorë, me
gojëtarinë e rrjedhshme të predikatarit me forcë fjale, i prekur thellë
nga dhimbja dhe trazimet e kohës, ka mbetur shprehja gojore e një
fjalimi më të fuqishëm i predikatarit, ku respektohej dhe naltohej
figura fetare dhe atdhetare e Imzot Thaçit, kur thirri me zë të lartë:
I paharrueshmi
kryeipeshkëv Imzot Thaçi!
Ti përgjithmonë
shqiptar!
Ti përgjithmonë meshtar,
katolik, apostolik romak!
Ishte ky fillimi i
fjalës plot zë e forcë që ushtoi edhe jashtë katedrales dhe u përhap
kudo si një definicion paralajmërues i një vije të palëkundshme të të
gjithë klerit katolik që do të vazhdonte rrugën e mundimeve në kalvarin
e madh deri në martirizim.
I dënuar me vdekje Imzot Gjergji
Nuk harrohet edhe jehona
e fjalës në shpatin e kështjellës Rozafat në ditën e festës së Zojës së
Këshillit të Mirë më 25 prill 1946. Shtegtim i vërtetë masiv i një
populli besimtar në këtë Shenjtërore, të ardhur e të grumbulluar nga
qyteti e të gjitha katundet e Shkodrës për festën e Zojës. Mesha e
kremtua nga Imzot Volaj. Predikatari i njohur Volaj, me ngulm, aftësi e
zgjuarsi, foli për devocionin e Zojës, për besën e shpresën e
qëndrueshme te Mbrojtësja e Shkodrës dhe e Kishës Katolike në këto kohë
të vështira. Ishte predikimi i fundit... Porosi për lutje, thirrje për
besim në Zotin. Ky fjalim paralajmërues i fundit të shpejtë. Tek
shkruaj, më duket se afrohen bashkë me mua të gjithë ata që e njohën dhe
ia dëgjuan zërin, duan të flasin për ipeshkëvin Imzot Gjergj Volaj, por
edhe lotojnë sepse ia morën jetën krejt të pafajshëm. Ishte koha e
luftës së djallit kundër Krishtit. Në rrethana poshtërimi u arrestua
Imzot Gjergj Volaj.
Për akuza
të pavërteta e torturua mizorisht. U dënua me vdekje. Për çudi (ndoshta
edhe për të lehtësuar fajin e dënimit të padrejtë) u lejua një takim
special për nënën e tij një ditë para pushkatimit të të birit. Ishte me
të edhe ndonjë familjar tjetër. U duk ky takim si ndonjë nga ndalesat në
rrugën e mundimshme të Kalvarit: Ndalesa e Katërt Jezu Krishti i dënuar
për vdekje takon nënën e vet. Sa dhimbje të mëdha kanë provuar këto dy
zemra të pastra e të dashura.
I dhimbshëm
dhe i ngjashëm takimi me nënën e vet Tone, i të dënuarit me vdekje Imzot
Gjergj Volaj një ditë përpara pushkatimit. Ai e ngushëlloi nënën e vet
tek e pa aq të rrënuar. “Nënë, mos vajto atë që tani sheh tek unë. Qaj
ditët më të vështira që do të vijnë”. Ia shtrin dorën mbi kokë dhe i
thotë: “Qofsh bekuar nënë!”. Të therura zemre, lot, por bekim për
amshim. “Qofsh i bekuar, biri i nënës!” iu përgjigj nëna.
Krismat në
orët e para të mëngjeseve të atyre kohëve ishin gjithnjë ogurzeza. 3
shkurt 1947 pas vorreve, aty tek zalli i Kirit, u pushkatuan pesë veta
të hedhur në një gropë. Bashkë me Imzot Gjergjin ishin Cin Serreqi, Dulo
Kali, Xhelal Hardolli, Bilbil Hajmi.Në atë mëngjes Atë Viktori dhe Nëna
e vet Tone ishin në kishë. Po luteshin, askush nuk pat guxim që t'i
tregonte gjëmën, por krisma e armëve ua kishte shporuar zemrat. Ata
shpirtërisht luteshin dhe kërkonin forcën e Zotit që t'i qëndronin
dhimbjes.Por nuk u mbyll këtu dhimbja për nënën e goditur rëndë nga
vuajtjet. Atë Viktori, ai gjuhëtar dhe atdhetar, ai studiues, etnograf,
përkthyes dhe autor i sa e sa shkrimeve e studimeve, bashkëpunëtor i
ngushtë i Atë Justin Rrotës (gjuhëtar i madh i letërsisë shqipe) dhe Atë
Gjergj Fishtës, ishte sekretar dhe komentator i të gjitha veprave të
poetit të madh, nuk i shpëtoi dënimit për vite në internimet komuniste
dhe nëna e vet krejtësisht e vetmuar kalonte jetën e mbështetur në
forcën ë Zotit, pranë familjes së Shan Kolë Kuçit.
A ishte “haraç” ky dhumin i kësaj familje të shenjtë? Po kështi ishte e
vërteta. Kështu ndodhi dhe vdiq nëna e tramvajeve, vdiqën dy vëllezër të
martirizuar.
A thua familja u shua?
Në dukje po, mbetet pas tyre një ndriçim i përjetshëm familjar tamam si
në ditën e lindjes. Lindën dhe nuk vdesin. Kanë fituar amshimin. Mbesin
shembuj të rrallë të kishës. Mbesin për të gjithë frymëzim virtytesh,
dëshmie, guximi dhe sakrifice. Janë përgjithmonë familje martire e
ndriçuar e kishës katolike në Shqipëri!
maj -qershor 2005 |
|