|
|
I VETMI QË NË BOTËN SHQIPTARE ARRITI
TË REALIZOJË NJË ËNDËRR 2000 VJEÇARE
Shënim i 80 vjetorit të lindjes së dom Simon Filipajt, 1925-1999
I bindur se meriton të
kujtohet çdo përvjetor i tij, po përpiqem edhe unë kësaj radhë t'ju
rikujtoj disa nga tiparet e vërteta dhe vlerat e këtij intelektuali me
përmasa ndërkombëtare, duke filluar nga rinia e hershme e tij!
I ndjeri dom Simon
Filipaj është padyshim një figurë e spikatur e kombit shqiptar dhe një
personalitet i fuqishëm i kulturës sonë. Ai me vullnetin e tij të
rrallë, por edhe me vullnetin e të lumit Zot, u dhuroi shqiptarëve një
Bibël në gjuhën e tyre. Ky njeri i popullit dhe i Zotit, i cili duke
përkthyer një vepër kaq të vështirë e fjalëshumë (73 libra), bëri të
mundur që edhe në gjuhën tonë të citohet e të flitet për dashurinë e
madhe që kanë Zoti dhe njeriu, ka vlera të shumëfishta. Ne tani dhe
gjithmonë duhet të jemi krenarë për këtë kolos të letrave shqipe, i
cili tërë jetën e tij si meshtar e shkriu në shërbim të Fjalës së Zotit,
sepse pikërisht ai u mundësoi edhe engjëjve të flasin shqip. I bindur
se meriton të kujtohet çdo përvjetor i tij, po përpiqem edhe unë kësaj
radhë t'ju rikujtoj disa nga tiparet e vërteta dhe vlerat e këtij
intelektuali me përmasa ndërkombëtare, duke filluar nga rinia e hershme
e tij, edhe pse jam plotësisht i vetëdijshëm dhe nuk pretendoj, me
gjithë dëshirën e mirë, se mund të arrij të sjell tablo më të plota të
vlerave të tij, se sa kanë shkruar vite të tëra pena të njohura të
shqipes, madje edhe akademikë të fushave të ndryshme, në hapësirën
mabrëshqiptare. Dhe, duke patur të vetmin qëllim shënimin e 80
vjetorit të lindjes së dom Simon Filipajt, mendoj se ia vlen të
përkujtohet kontributi i tij i madh si meshtar në kishën katolike
ndërshqiptare. Për këtë arsye, në këtë përvjetor të ditëlindjes, po
përpiqem të sjell shkurt vetëm disa shënime modeste për jetën, punën
dhe veprën madhore të meshatrit tonë të nderuar, dom Simon Filipajt.
Dashuria
e tij për t'u arsimuar
Ai lindi më
1 maj të vitit 1925, në fshatin Kllezën e Ulët (e Poshtme), afër Shasit
të lashtë të komunës së Ulqinit. I përket atij brezi të rinisë
shqiptare që u rrit, u shkollua dhe jetoi në kushte të vështira jetese.
Si bir i një familjeje fshatare por arsimdashëse, ai ndoqi në mënyrë të
rregullt dhe me këmbëngulje të admirueshme shkollimin. Kështu, duke
rrëmuar në biografinë e jetës së tij, mëson ndër të tjera, se, në
mungesë të shkollës në gjuhën amtare, të gjitha vitet shkollore i kreu
në gjuhën sllave. Shkollën fillore dyvjeçare e kreu në Selitë, kurse dy
të tjerat në Katërkollë të Ulqinit. Pas përfundimit të shkollës fillore,
sikur e ndieu thirrjen për t'u bërë meshtar. Gjatë viteve 1939 1941
vazhdon në seminarin e ulët në Tivar, ku edhe ndoqi gjimnazin e
atëhershëm. Por, për shkak të Luftës së Dytë Botërore, gjatë viteve
1941 1945 vazhdoi mësimet në Shkodër. I etur për dije dhe kulturë, kur
trevat shqiptare në Malin e Zi kishin nevojë për njerëz të arsimuar,
djaloshi 20 vjeçar plot energji dhe aspirata niset për në studime të
larta (1945) në Fakultetin Teologjik të Zagrebit, të cilin e përfundon
me sukses të shkëlqyer në vitin 1950. Menjëherë pasi u diplomua, më 29
qershor të po atij viti u shugurua meshtar në katedralën e Zagrebit,
kurse meshën e parë në vendlindje e kremtoi më 26 korrik të vitit 1950,
ditën e Shna Prendës, në moshën 25-vjeçare.
I pajisur
me mësime teologjike si famullitar, bari i grigjës së Zotit, në fillim
shërbeu në Malësinë e Madhe. Gjtë viteve 1950 1960 shërbeu me një
përkushtim të jashtëzakonshëm në Triesh dhe në Kojë, për ta vazhduar
me po aq përshpirtshmëri të lartë misionin e tij në Grudë gjatë viteve
1960 1966. Pikërisht në këto treva të lashta të Malësisë së Madhe,
pranë kufirit me Shqipërinë, u frymëzua për shqipërimin e teksteve
fetare. Njëherazi atje zuri fill edhe puna e tij intelektuale si
mbledhës i pasionuar i letërsisë gojore. Gjatë kësaj periudhe kohore në
Malësinë e Madhe mblodhi shumë këngë lirike, epike, historike, balada,
anekdota, përralla etj, shumica e të cilave janë botuar nga Instituti
Albanologjik i Prishtionës në “Gjurmime Albanologjike” (Folklor dhe
Etnologji) dhe në botime të tjera, kurse materiali folklorik i
pabotuar, mbledhur prej tij ruhet në arkivin e këtij Instituti. Kështu,
falë dashurisë së tij të madhe që kishte për kulturën tonë popullore,
arriti të shpëtojë nga zhdukja dhe harresa një pasuri të madhe të kësaj
gurre popullore, të mbledhur me kujdes të posaçëm dhe dashuri të madhe
në Malësinë e Madhe.
Ai, që nga
20 nëntori 1966 deri më 2 shtator 1999, kur edhe ndërroi jetë, ka
shërbyer si famullitar në Shën Gjergj të Bregut të Bunës.
Përkthyes i plotë i Biblës në gjuhën standarde
Kush e ka
njohur nga afër Dom Simon Filipaj, duhet të ketë parasysh natyrën e
tij, natyrë e një intelektuali të mirëfilltë. Ishte njeri i vuajtur, i
vetmuar, i mençur, i matur, i dashur, i sinqertë, i afërt, modest,
fisnik dhe orator i spikatur. Edhe kur hidhërohej, të këshillonte apo
të qortonte, e bënte me fjalë tepër të ëmbla, sa që s'të linte hapësirë
për nervozizëm.
Me një fjalë ishte njeri i popullit dhe për popullim. Të shfaqej në çdo
moment i angazhuar vetëm në punë. Të shfaqej i tillë që kërkonte, madje
ngulmonte të humbiste sa më pak kohë jashtë punës, sa më pak kohë nëpër
vende publike me muhabete boshe. I tillë ka qenë, për mendimin tim, dom
Simoni. Por, mbi të gjitha ishte punëtor i palodhur, njohës i mirë i
gjuhëve biblike, përkthyes i aftë dhe i përkushtuar. Falë këtyre
veçorive dhe dëshirës së tij të madhe për t'u dhënë shqiptarëve një
Bibël të plotë në gjuhën e tyre, kësaj pune në përkthimin integral në
shqipen standarde të Shkrimit Shenjt, ia doli me sukses në vitin 1994,
duke e kurorëzuar në këtë mënyrë veprimtarinë e tij 40-vjeçare. Ju
kujtoj me kënaqësi faktin se për punën që ka bërë dom Simon Filipaj,
si një meshtar idealist, për t'i dhënë lexuesit në shqipen letrare
Shkrimin Shenjt, mund të lexoni në libri, Bibla shqip dhe tradita,
Tiranë 2004, në të cilin janë përfshirë materialet e Seminarit Shkencor
të mbajtur në Tiranë, më 24 maj 2004, organizuar nga Instituti i
Gjuhësisë i Akademisë së Shkencave në bashkëpunim me Fakultetin e
Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Pra, dom Simon
Filipaj është njeriu i cili ua “mundësoi” edhe engjëjve të flasin
shqip.
Se sa e vështirë ka qenë
kjo punë, tregon dhe fakti se ka punuar afro 25 vite, pa dritë
elektrike, nën dritë hijen e kandilit e të qiriut, duke u “kacafytur”
me fjalë, fjali, frazeologji, porosi tejet të vështira biblike, më mirë
e kuptojmë nga dëshmia e tij: “Punoja shpeshherë natë e ditë, kuptohet,
me të gjitha punët e tjera meshtarake dhe mendoja kështu: Dy herë qe
përkthyer Bibla në gjuhën shqipe, por për fat të keq nuk qe botuar. Për
punen time thoja: Kush e di kur dhe a do të botohet? Koha jonë ishte
shumë e vështirë, aq sa s'ishim të sigurtë as për jetën tonë, e jo më
për shkrimet tona! Isha në zonën kufitare Shqipëri Mali i Zi. Kisha
mjaft kërcënime, rreziqe. Në tavolinën e punës, mes shumë librave,
fjalorëve, biblave, gjithmonë e mbaja edhe testamentin tim. Aty ndër të
tjera i shkrova edhe këto fjalë: “Nëse më gjeni të vdekur/ të vrarë/,
dijeni se vrastarët janë afër/ roja kufitare/. Zoti i faltë!”
Duke vlerësuar lart
punën e mundimshme dyzetvjeçare të këtij meshtari, në një famulli të
harruar të Shën Gjergjit, buzë lumit Buna, afër Ulqinit, i cili ishte
i vetmi që në botën shqiptare arriti të realizojë një ëndërr 2000
vjeçare të kombit tonë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.
Alfred Moisiu, me propozim të Minsitrisë së Kulturës, Rinisë dhe
Sporteve, në qershor të vitit 2004, si mirënjohje për punën e bërë, e
dekoroi me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë, pas vdekjes. Këtij çmimi
prestigjioz të dom Simon Filipajt, i cili me përkthimin e Biblës hyri
në analet e kulturës shqiptare, i kanë paraprirë edhe shpërblime dhe
mirënjohje të tjera të larta, ndër të cilat veçojmë: Titullin e
lartë “Imzot” (monsinjor) nga Selia e Shejtë, më 3 nëntor 1988 dhe
shpallja “Prelat Nderi” nga Papa Gjon Pali II, më 6 korrik 1992.
Në shenjë nderimi dhe
përkujtimi, Bashkia e Ulqinit i ka dhënë emrin e tij një rruge, kurse
Shoqata Dom Simon Filipaj, që nga themelimi i saj 2002, organizon
aktivitete Takimet e dom Simonit.
Po i mbyll këto shënime
modeste për punën dhe kontributin madhështor që ka bërë dom Simoni jo
vetë në shqipërimin e Biblës, me vlerësimin se populli shqiptar
krenohet me personalitete të tilla.
Gjekë Gjonaj, Ulqin
maj -qershor 2005 |
|