|
RERUM NOVARUM
Kisha dhe problemi
shoqëror
Më 17 shkurt 2005, në sallën “Kardinal Mikel Koliqi” u mbajtën katër
kumtesa mbi Doktrinën shoqërore të Kishës.
Me
iniciativën e Imzot Angelo Massafra u realizua edhe përkthimi i
Enciklikës së Papa Leonit XIII “Rerum Novarum”.
Në vijim po paraqesim kumtesën e mbajtur nga Imzot Angelo Massafra mbi
këtë Enciklikë.
Parime
orientuese (RN 8-9-15-16-35)
1. Profili
historik i Papa Leonit XIII
Leoni XIII
(1878-1903), sikurse u quajt ai, ishte njeri me kulturë të hollë,
humanist në kuptimin më të mirë të fjalës (poet latin i çmuar), me një
gjallëri të madhe shpirtërore dhe aftësi të lartë politike, reflektiv në
veprimet e tij, i butë e pajtues, e megjithatë me një natyrë të vërtetë
zotëruesi; pra, në mënyrë të pakundërshtueshme një prej figurave më të
ndritshme të historisë moderne të papëve. I ndihmuar nga sekretarë
shteti të vlefshëm, si Lodovico Jacobini (1880-87) dhe Mariano Rampolla
(1887-1903), ai arriti të drejtonte gati gjithmonë me sukses një
politikë kishtare diplomatikisht të aftë dhe me horizont të gjerë, e
prirur drejt qëllimeve të mëdha, kështu që nën pontifikatin e tij papati
u ngjit në një nivel, i paarritur ndonjëherë më parë, me një rëndësi të
gjithmbarshme dhe me autoritet moral. Në vende të ndryshme në të cilat
Kisha, në momentin e zgjedhjes së tij, gjendej në një situatë të
pasigurt, Leoni diti t'i rregullonte përsëri gjërat me një aftësi të
admirueshme dhe, duke pranuar format moderne shtetërore demokratike, të
lidhte me qeveritë marrëdhënie të mira.
Marrëdhëniet me Shqipërinë:
a. ndiqte me kujdes
mbarimin e pushtetit otoman në Ballkan
b. Kuvendi i III i
Arbërit mbajtur në katedralen e Shkodrës në vitin 1895 nga Kryeipeshkvi
Imzot Pasquale Guerini, bëri kërkesën për shpalljen e Zojës Nënës së
Këshillit të Mirë si Pajtoren e Shkodrës dhe të Shqipërisë dhe papa
Leoni XIII e miratoi.
Leoni XIII kishte
shfaqur gjithmonë një vëmendje të veçantë ndaj problemeve shoqërore dhe
ndaj “çështjes punëtore”. Që gjatë episkopatit të tij Peruxhin nuk
kishin munguar, mes viteve 1877 dhe 1878, disa letra baritore
veçanërisht domethënëse, në të cilat dënonte një konceptim të punës që
shndërrohej në “burim barbarie dhe shtypjeje”. Mbi këto probleme Leoni
XIII ishte kthyer që në vitin e parë të pontifikatit me dy enciklika,
Inscrutabili Dei Consilio mbi të këqijat e shoqërisë dhe Quod Apostolici
muneris mbi socializmin, nihilizmin dhe komunizmin. Por ndërhyrja më e
rëndësishme e Leonit XIII mbi çështjen punëtore dhe mbi shndërrimet
ekonomike të shkaktuara prej kapitalizmit industrial qe enciklika Rerum
novarum e 15 majit 1891.
E redaktuar nga jezuiti
Matteo Liberatore dhe nga domenikani kardinal Zigliara, enciklika e
Leonit XIII, megjithëse duke nxitur drejt formave të gjestisjes së
përzier mes kapitalit e punës, përmban referime të rëndësishme në
situatat reale, sidomos aty ku problemet shoqërore dukeshin më të
mprehta e më të rënda.
Me fjalë të
tjera, Rerum novarum shikon problemet e zhvillimit industrial në vendet
ku kapitalizmi ishte më i fortë e më i përparuar. Leoni XIII u kushtoi
një vëmendje të veçantë sinjaleve që i arrinin prej njerëzve si
arqipeshkvi i Baltimorës James Gibbons dhe arqipeshkvi i Westminster
(Londër) kardinal Manning. Veçanërisht Gibbons nuk kishte ndenjur pa i
shfaqur papës bindjen se nëse Kisha do të mbyllej para pritjeve të
masave të mëdha punëtore, nëse do t'u kishte kthyer shpinën formave të
reja të organizimit punëtor, siç po përvijoheshin në zonat më të
industrializuara të Shteteve të Bashkuara dhe të Europës, do ta bënte
armike atë pjesë të klasës politike që mbështeste kërkesat shoqërore.
2.
Konteksti shoqëror - historik
Duke
përfunduar 1800-a, Kisha u gjend përballë një procesi historik me
ndryshime rrënjësore të ndodhura në fushën politike, ekonomike,
shoqërore e shkencore. Mbizotëronin ideologjitë: liberalizmi dhe
socializëm-komunizmi. Një shoqëri tradicionale po shpërbëhej dhe po
formohej një tjetër me shumë shpresa por edhe plot rreziqe padrejtësie e
skllavërie. Në fushën ekonomike ishte shfaqur një formë e re pronësie,
kapitali dhe një formë e re pune, puna me rrogë, e karakterizuar nga
ritme të rënda prodhimi, pa vëmendje ndaj gjinisë, moshës apo situatës
familjare, por vetëm e përcaktuar prej frytshmërisë për rritjen e
përfitimit. Puna ishte bërë një mall, pa pasur parasysh as minimumin
jetësor për jetesën e personit dhe të familjes së tij.
Pasojë e
këtij shndërrimi ishte “ndarja e shoqërisë në dy klasa të ndara nga një
humnerë e thellë”: nga njëra anë liria e tërësishme ekonomike dhe nga
ana tjetër lindja e organizimit të ri politik shoqëror i frymëzuar nga
koncepti që në atë kohë quhej “socialist”.
Në këtë
mënyrë problemet shoqërore kombëtare e botërore të fundit të tetëqindës
në Europë: industrializimi i fortë, kolonializmi, liberalizmi, komunizmi
dhe socializmi kolektivist, bënë që të dalë në pah me forcë problemi i
“çështjes shoqërore” apo i “çështjes punëtore”.
Në momentin
kulminant të kësaj kundërvënieje, kur tashmë po dukej në dritë të plotë
padrejtësia shumë e rëndë e realitetit shoqëror, Leoni XIII ndërhyri me
enciklikën që përballte në mënyrë organike “çështjen punëtore”. Të
gjitha të këqijat rridhnin nga një liri që, në fushën e veprimtarisë
ekonomike e shoqërore, shkëputej prej të vërtetës së njeriut.
“Papa Leoni
XIII me këtë enciklikë ka treguar se Kisha ka të drejtën-detyrë të thotë
fjalën e vet përballë situatave të caktuara njerëzore, individuale e
bashkësiore, kombëtare e ndërkombëtare, për të cilat formulon një
doktrinë të vërtetë, të shprehet mbi realitetet e ndryshme shoqërore e
të tregojë orientimet për zgjidhjen e drejtë të problemeve.
Në kohët e
Papa Leonit XIII një konceptim i tillë i të drejtës-detyrë të Kishës
ishte shumë larg të qenit i pranuar gjerësisht. Ekzistonte një prirje e
dyfishtë: njëra e orientuar nga kjo botë e nga kjo jetë, ndaj së cilës
feja duhej të mbetej e huaj; tjetra e drejtuar nga shëlbimi
përtejtokësor, që nuk ndriçonte e as nuk e orientonte praninë në tokë.
Për Kishën,
të mësojë e të përhapë doktrinën shoqërore bën pjesë në misionin e saj
ungjillëzues dhe është pjesë thelbësore e porosisë së krishterë”
(Centesimus Annus, 5).
Enciklika
«Rerum Novarum», e konsideruar si akti më i rëndësishëm i Pontifikatit
të Leonit XIII, është pasoja natyrore e një situate që ishte duke u
pjekur në shumë vende evropiane, ku pranë lëvizjeve punëtore socialiste,
e prandaj kryesisht ateiste, ose të paktën krejtësisht laike, po
themeloheshin shoqata punëtore që në mbrojtjen e interesave ekonomike
klasore nuk kishin ndërmend të largoheshin prej disiplinës së Kishës
Katolike.
Enciklika
«Rerum Novarum» realizon me fjalën e Papës metodat dhe qëllimet e luftës
për emancipimin e punës, duke e kanalizuar në mësimin ungjillor e në
disiplinën e detyrave fetare.
Sot shumë
parime të Rerum Novarum mund të duken dhe efektivisht janë logjike…por
njohja e Enciklikës është shumë e dobishme për ne pas kolektivizimit dhe
shtetëzimit të pronës në Shqipëri… dhe me problemet e sotme të kthimit
të pronës pronarëve të ligjshëm…
Enciklika
Rerum Novarum dhe problemet që ajo cek duhet të shihen në vazhdimësinë e
mësimit të Kishës me Encikliket e tjera si Quadragesimum annum (Piu XI),
Pacem in terris (Gjon XXIII); Populorum Progressio (Pali VI);
Solleciduto Rei Socialis, Laboris Exercens dhe Centesimus annus (Gjon
Pali II),… së fundi përmbledhja e Doktrinës Shoqërore të Kishës.
3. Çështja
punëtore (e punëtorëve)
“Dëshira e
zjarrtë për risi ( për gjëra të reja), e cila prej kohësh ka filluar t'i
trazojë popujt, natyrisht që prej rendit politik duhej të kalonte në
rendin analog të ekonomisë shoqërore. Dhe faktikisht, përparimet e
mrekullueshme të arteve dhe metodat e reja të industrisë; marrëdhëniet e
ndryshuara mes pronarëve dhe punëtorëve; grumbullimi i pasurisë në pak
duar dhe shtrirja e gjerë e varfërisë; vetëdija më e gjallë e klasave
punëtore për forcën e tyre dhe bashkimi më i ngushtë mes tyre: kjo
tërësi gjërash të cilave u shtohen edhe zakonet e përkeqësuara, kanë
bërë që konflikti të shpërthejë. Ai ka një peshë të tillë kaq të madhe
sa i mban pezull shpirtrat në një pritje të shqetësuar dhe mundon
mençurinë e të diturve, vendimet e ligjvënësve: në një mënyrë të tillë
sa sot nuk ka çështje tjetër që i intereson botës më shumë. Më se një
herë e kemi prekur edhe më parë këtë lëndë (çështjen punëtore), kur na
ka ardhur rasti: por vetëdija e Mbarështimit tonë Apostolik na nxit ta
trajtojmë tani me qëllim e plotësisht, që të vëmë në dukje parimet, me
të cilat, sipas drejtësisë e paanësisë, duhet të zgjidhet kjo çështje.
Çështje e vështirë dhe e rrezikshme. E vështirë, sepse nuk është gjë e
lehtë të caktohen kufijtë e saktë në marrëdhëniet mes pronarëve e
proletarëve, mes kapitalit e punës. Kjo çështje është e rrezikshme,
sepse njerëz trazues dhe dinakë mendojnë kudo t'i tjetërsojnë gjykimet
dhe ta kthejnë vetë çështjen në turbullim të popujve!
“Sidoqoftë,
është e qartë, dhe për këtë janë të gjithë të një mendjeje, se është
tejet e nevojshme që, pa ngurruar dhe me masat e përshtatshme, t'u dilet
në ndihmë proletarëve, që në pjesën më të madhe të tyre gjenden në
kushte mjaft të mjera. Në të vërtetë, pasi në shekullin e kaluar janë
mbyllur korporatat e arteve dhe zanateve, pa i zëvendësuar me asgjë
tjetër, në të njëjtën kohë që institucionet dhe ligjet po largoheshin
prej shpirtit të krishterë, ndodhi që pak nga pak punëtorët të mbeteshin
vetëm dhe të pambrojtur prej lakmisë së pronarëve dhe të një konkurrence
pa fre. Të keqen e shtoi një fajde përpirëse, që, megjithëse është
dënuar shumë herë prej Kishës, vazhdon njëlloj, me një ngjyrë tjetër,
nëpërmjet spekulluesve të pangopshëm. Shtohet edhe monopoli i prodhimit
dhe i tregtisë, aq sa një numër shumë i vogël të stërpasurish i ka
imponuar një shumice të pafund proletarësh një zgjedhë pothuajse prej
skllevërish”
Ishte
konflikti mes kapitalit dhe punës
Qëllimi i
tij ishte me siguri që të rivendoste paqen, dhe lexuesi bashkëkohor nuk
mund të mos e vërejë dënimin e rreptë të luftës së klasave, që ai
shprehte pa terme të ndërmjetme, dhe jepte porosinë e krishterë se
njeriu është vëlla i njeriut tjetër, jo ujk (“homo hominis lupus”
thoshte filozofi Home). Paqja shoqërore ndërtohet mbi themelin e
drejtësisë: përmbajtja thelbësore e enciklikës qe pikërisht ajo që
shpallte kushtet themelore të drejtësisë në pikëpjekjen ekonomike e
shoqërore të atëhershme (kjo temë do të zgjerohet nga Pacem in Terris e
Papa Gjonit XXIII).
Papa Leoni
XIII është i bindur se zgjidhja socialiste (të shfuqizohet prona
private), me kolektivizimin është një zgjidhje e rremë dhe e
papranueshme për punëtorët.
„Për t'i
shëruar këta çrregullime, socialistët, duke ndezur në të varfërit
urrejtjen ndaj të pasurve, pretendojnë se duhet të shfuqizohet prona,
dhe të gjitha pasuritë e veçanta të bëhen një pasuri e përbashkët, që
duhet të administrohet me anë të bashkisë apo të Shtetit. Me këtë
shndërrim të pronës nga personale në kolektive, dhe me shpërndarjen e
barabartë të fitimeve dhe të rehative mes shtetasve, mendojnë se e keqja
do të ndreqet rrënjësisht. Por kjo rrugë, në vend që ta zgjidhë
çështjen, nuk bën gjë tjetër veçse i dëmton vetë punëtorët; dhe për më
tepër, është e padrejtë për shumë arsye, pasi shkel të drejtat e
pronarëve të ligjshëm, tjetërson kompetencat dhe detyrat e Shtetit dhe
trazon tërë rendin shoqëror“.
4. Prona
private: E drejta e njeriut të lirë
Një tjetër
parim i rëndësishëm është padyshim ai i të drejtës për “pronë private”.
Vetë hapësira që enciklika i kushton zbulon rëndësinë që i jepet. Papa
është shumë i ndërgjegjshëm se prona private nuk është një vlerë
absolute, as nuk lë pa shpallur parimet e nevojës dhe të
përplotësueshmërisë, si atë të destinimit të gjithmbarshëm të të mirave
të tokës. E drejta për të zotëruar gjërat është e nevojshme për
zhvillimin personal dhe të familjes.
Prona
private është me të drejtë natyrore. Njeriu, nën ligjin e amshuar dhe
provaninë e gjithmbarshme të Hyjit, është provani për vetveten. Pra ai
duhet të mund t'i zgjedhë mjetet që i gjykon si më të përshtatshme për
mirëmbajtjen e jetës së vet, jo vetëm për momentin që kalon, por edhe
për kohën e ardhshme”.
“Pastaj, e
vërteta, sipas së cilës Hyji e ka dhuruar tokën që ta përdorë e ta
gëzojë e gjithë gjinia njerëzore, nuk i kundërvihet të drejtës për pronë
private, pasi atë dhuratë ua bëri të gjithëve”
dhe toka,
megjithëse e ndarë mes privatëve, mbetet patjetër në shërbim e dobi të
të gjithëve, duke mos pasur njeri në botë që nuk merr ushqim prej saj.
Ai që nuk
ka pasuri të vetat, i zëvendëson ato me punën; aq sa mund të pohohet me
të vërtetë se mjeti i gjithmbarshëm për t'u kujdesur për jetën është
puna nën një pronar ose në kultivimin e një terreni personal, ose në
ushtrimin e një arti, shpërblimi i së cilës nxirret prej fryteve të
shumta të tokës dhe në to shndërrohet.
Prona
private e sanksionuar prej ligjeve njerëzore e hyjnore:
Gjinia
njerëzore, me sytë e drejtuar nga ligji i natyrës, gjen në këtë ligj
themelin e ndarjes të së mirave; dhe, duke pranuar se prona private
është shumë e përshtatshme për natyrën e njeriut dhe për bashkëjetesën
sociale paqësore, e ka sanksionuar solemnisht nëpërmjet praktikës së të
gjithë shekujve. Dhe ligjet civile, që, kur janë të drejta, e marrin
autoritetin dhe frytshmërinë e vet prej vetë ligjit natyror, e pohojnë
këtë të drejtë dhe e sigurojnë atë me forcë publike. As nuk mungon vula
e ligjit hyjnor, i cili ndalon me rreptësi madje edhe dëshirën për gjënë
e tjetrit: «Mos i lakmo për të keq gruas së të afërmit tënd.
Mos i lakmo shtëpisë së
të afërmit tënd, as arës, as shërbëtorit, as shërbëtores, as kaut, as
gomarit dhe asnjë sendi që i përket atij».
Liria e njeriut:
Vlera e kësaj të drejte
individuale rritet nëse e konsiderojmë në lidhje me shoqërinë familjare.
Njeriu është i lirë të zgjedhë gjendjen e vet: ai sipas dëshirës së vet
mundet ose të ndjekë këshillën ungjillore të virgjërisë, ose të vërë
kurorë. (shiko: harta e të drejtave të familjes..)E drejta për të vënë
kurorë është natyrore e primitive dhe asnjë ligj njerëzor nuk mund ta
shfuqizojë, as nuk mund ta kufizojë, sido që të jetë, qëllimin për të
cilin Hyji e ka caktuar kur tha: «Shtohuni e shumohuni» .
Ja pra,
familja, domethënë shoqëria familjare, shoqëri e vogël por e vërtetë dhe
pararendëse e çdo shoqërie civile.
5. E drejta
natyrore e njeriut për të formuar shoqata private.
Për
zgjidhjen e konflikteve për çështjen punëtore:
a.zgjidhja
e vërtetë: bashkimi i shoqatave:
Në të
vërtetë, Kisha është ajo që merr prej Ungjillit doktrina të afta për të
rregulluar konfliktin, ose me siguri për ta bërë atë shumë më pak të
ashpër: me mësimet e saj ajo kërkon jo vetëm të ndriçojë mendjen, por
edhe të formojë jetën e zakonet e secilit; me një numër të madh
institucionesh mirëbërëse i përmirëson vetë kushtet e proletarit;
dëshiron dhe uron që këshillat e forcat e të gjitha klasave shoqërore të
ndërlidhen e të bashkohen me qëllim që të merren masa sa më të mira për
interesat e punëtorëve; dhe beson se, me masa të përshtatshme, edhe vetë
ligjet dhe autoriteti i Shtetit duhet të priren nga ky qëllim.
b. të hiqen
prej botës pabarazitë shoqërore është një gjë e pamundur:
Është e
vërtetë se për këtë përpiqen socialistët, por çdo përpjekje kundër
natyrës së gjërave është e kotë. Pasi mes njerëzve për nga natyra
ekziston larmia më e madhe: jo të gjithë kanë të njëjtën zgjuarsi, të
njëjtin zell, të njëjtin shëndet, të njëjtat forca; dhe prej këtyre
ndryshimeve të pashmangshme lind patjetër ndryshimi i kushteve
shoqërore. Dhe kjo shkon në dobi qoftë të privatëve qoftë të shoqërisë
civile, sepse jeta shoqërore ka nevojë për prirje të ndryshme e për
detyra të ndryshme.
6.
Marrëdhëniet mes klasave shoqërore… jo luftë klasash deri në zhdukjen e
tjetrit.
Socializmi
ka zgjedhur si mjet luftën e klasave. Kisha e di mirë se në histori
konfliktet e interesave mes grupeve shoqërore të ndryshme lindin në
mënyrë të pashmangshme dhe se përballë tyre i krishteri shpesh duhet të
marrë pozicion me vendosmëri e koherencë. Enciklika Laborem Exercens e
Gjon Palit II e ka pranuar qartë rolin pozitiv të konfliktit, kur
paraqitet si “luftë për drejtësi shoqërore”, si dhe Quadragesimo Anno e
Piut XI shkruante: “Në të vërtetë, lufta e klasave, kur heq dorë nga
aktet e dhunshme dhe nga urrejtja e ndërsjellë, shndërrohet pak nga pak
në një diskutim të ndershëm, të bazuar në kërkimin e drejtësisë”. Luftë
klasash në kuptimin marksist dhe militarizmi, pra, kanë të njëjtat
rrënjë: ateizmin dhe përbuzjen e personit njerëzor, që bëjnë të
mbizotërojë parimi i forcës mbi atë të arsyet e të të drejtës.
Lind
nevoja e marrëveshjes
(njëzëshmërisë):
Në këtë
çështje punëtore, skandali më i madh është ky: të mendohet se një klasë
sociale është natyrisht armike e tjetrës; a thua se natyra i ka bërë të
pasurit dhe proletarët për të luftuar mes tyre një duel të ashpër; një
gjë kjo që është aq në kundërshtim me arsyen dhe me të vërtetën. Ndërsa
është shumë e vërtetë se, sikurse, në trupin njerëzor, gjymtyrët e
ndryshme bëjnë njeriun.
Njëra ka
nevojë absolute për tjetrën: as kapitali nuk mund të rrijë pa punën, as
puna pa kapitalin. Njëzëshmëria përbën bukurinë dhe rendin e gjërave,
ndërsa konflikti i përhershëm nuk mund të krijojë gjë tjetër veçse
ngatërresë dhe mizori. Për ta shuar konfliktin, madje për t'ia shkulur
atij edhe rrënjët, krishterimi ka një pasuri force të mrekullueshme.
Marrëdhëniet mes klasave shoqërore duhen të rregullohen me drejtësi dhe
dashuri.
a. Përsa i
përket proletarit dhe punëtorit, detyrime drejtësie janë këto:
të
zhvillojë tërësisht dhe besnikërisht veprimtarinë për të cilën lirisht
dhe sipas drejtësisë ka rënë në ujdi; të mos i bëjë dëm sendeve të
pronarit, as të mos e fyejë personin e tij; duke i mbrojtur të drejtat e
veta të mos bëjë akte të dhunshme, të mos përzihet me njerëz të
mbrapshtë,
b. Këto
janë detyrat e kapitalistëve e të pronarëve:
të mos i
mbajnë punëtorët sikur të ishin skllevër; të respektojnë në ta
dinjitetin e personit njerëzor, të fisnikëruar prej vulosjes që e bën të
krishterë. Njësoj urdhërohet që proletarët duhet të kenë kujdes për fenë
e tyre dhe për të mirat shpirtërore. Prandaj është detyrë e pronarëve
t'i lënë punëtorit mundësinë dhe kohën e duhur për të kryer detyrat
fetare; të mos e vënë para joshjeve shkatërruese dhe rreziqeve të
skandalit; të mos e largojnë prej shpirtit të familjes dhe prej
dashurisë për kursim; të mos i caktojnë punë që nuk janë në përpjesëtim
me forcat që ka apo që nuk janë të përshtatshme për moshën dhe për
gjininë.
Pastaj, më
kryesorja ndër detyrat është t'i japin secilit rrogën e drejtë.
Përcaktimi i saj sipas drejtësisë varet prej shumë gjërave që duhen
marrë parasysh: por në përgjithësi kapitalistët dhe pronarët duhet të
mos harrojnë se ligjet njerëzore nuk lejojnë të shtypen për dobinë tonë
nevojtarët dhe të mjerët dhe të përfitohet prej mjerimit të të afërmit.
Pastaj mashtrimi me rrogën duhur është një faj kaq i madh sa thërret
hakmarrje para Hyjit. «Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që ju korrën
arat, bërtet dhe ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së
Ushtrive!» (6). Së fundi, është detyrë e të pasurve të mos i dëmtojnë
kursimet e vogla të punëtorit as me dhunë as me mashtrime mbi rrogën, as
me fajde të dukshme apo të fshehta;
7. Edukimi
në kursim
“Kur
punëtori merr një rrogë të mjaftueshme për të mbajtur vetveten dhe
familjen e tij në njëfarë mirëqënie, nëse ai është i urtë, natyrisht do
të mendojë për të kursyer dhe, duke iu përgjigjur nxitjes së vetë
natyrës, do të bëjë që prej shpenzimeve të teprojë një pjesë që ta
përdorë në blerjen e ndonjë prone të vogël.
Nevojitet
rroga e mjaftueshme:
“Për të
mbikqyrur këtë marrëdhënie mes familjes e punës, një element që duhet
vlerësuar e mbrojtur është rroga familjare, apo një rrogë e mjaftueshme
për të mbajtur e për ta bërë familjen të jetojë në mënyrë dinjitoze. Kjo
rrogë duhet të lejojë realizimin e një kursimi që ndihmon blerjen e
ndonjë forme pronësie, si garanci lirie: e drejta për pronësi është e
lidhur ngushtë me ekzistencën e familjeve, që mbrohen prej nevojës edhe
falë kursimit dhe formimit të një prone familjare” (Përmbledhje e
doktrinës shoqërore të Kishës, 250).
Para se të
përfundoj dëshiroj të kujtoj një seri këshillash të Papa Leonit XIII,
këshilla që janë shumë të përshtashtme per ne sot, duke filluar nga
parimi: nevoja e një ndarjeje më e drejtë e pasurisë kombëtare.
Revolucioni industrial ka prodhuar ndarjen e shoqërisë në dy kasta, mes
të cilave ka hapur një humnerë. Nga njëra anë një palë e stërfuqishme
sepse është e stërpasur, e cila, duke pasur në dorë çdo lloj prodhimi e
tregtie, i shfrytëzon për vete burimet e pasurisë dhe ushtron një ndikim
të madh edhe në administrimin e Shtetit. Nga ana tjetër një shumicë e
mjerë dhe e dobët, me shpirtin e acaruar dhe e gatshme gjithmonë për
trazira. Tani, nëse në këtë shumicë nxitet zelli, me shpresën se mund të
blejnë prona të qëndrueshme, njëra klasë do t'i afrohet pak nga pak
tjetrës, duke shmangur largësinë e pafundme mes varfërisë më të madhe
dhe pasurisë më të madhe. Përveç kësaj, prej tokës do të nxirret një
begati prodhimesh shumë më e madhe. Kur njerëzit e dinë se punojnë për
veten, punojnë me më shumë gatishmëri e zell, madje fillojnë ta duan
arën e kultivuar me dorën e tyre, prej së cilës presin për vete dhe për
familjen e tyre jo vetëm ushqimet por njëfarë mirëqenieje. Dhe është e
lehtë të kuptohet se si kjo gatishmëri vlen shumë për ta rritur
prodhimin e tokës dhe pasurinë e kombit. Do të rrjedhë edhe një dobi e
tretë, që është lidhja me vendlindjen; në të vërtetë, nuk do të
ndërrohej atdheu me një vend të huaj, nëse ai do t'ua krijonte
mundësinëbijve të vet për të jetuar mirë. Të vërehet ndër të tjera se
këto dobi varen prej këtij kushti, që prona private të mos rëndohet prej
taksave të tepërta. Meqenëse e drejta e pronës private rrjedh jo nga një
ligj njerëzor por nga ai natyror, Shteti nuk mund ta asgjësojë, por
vetëm ta zbusë përdorimin e tij dhe ta harmonizojë me të mirën e
përbashkët. Është një padrejtësi dhe diçka çnjerëzore të kërkohet prej
privatëve më shumë se duhet me pretekstin e taksave” (35).
8.
Përfundim
Studimi i
Enciklikës Rerum Novarum, në dritën e realitetit bashkëkohor, lejon të
vlerësohet shqetësimi i vazhdueshëm dhe përkushtimi i Kishës ndaj atyre
kategorive të njerëzve, që janë objekt i përzgjedhjes nga ana e Zotit
Jezus. Është një dëshmi e shkëlqyer e vazhdimësisë, në Kishë, të së
ashtuquajturit zgjedhje parapëlqyese për të varfërit. Papa Leoni XIII
thotë: “Punëtorëve, që hyjnë në numrin e të dobtëve e të nevojtarëve,
Shteti duhet t'ia drejtojë me parapëlqim përkujdesjet e masat e tij”.
Enciklika mbi “çështjen punëtore” pra, është një enciklikë mbi të
varfërit dhe mbi gjendjen e tmerrshme në të cilën procesi i ri dhe jo
rrallë i dhunshëm i industrializimit, kishte hedhur shumica të mëdha.
Edhe sot, procese të tilla shndërrimi ekonomik, shoqëror e politik
prodhojnë të njëjtat të këqija. (Të mendojmë për shembull për problemin
shumë të rëndë të situatës dramatike të të emigruarit në atë kohë dhe
sot!).
Rerum
Novarum kritikon dy sistemet shoqërore e ekonomike: komunizmin dhe
liberalizmin. Të parit i kushtohet pjesa e parë, në të cilën ripohohet e
drejta për pronë private; të dytit nuk i është kushtuar një pjesë e
veçantë, por i rezervohen kritikat kur përballet tema e detyrave të
Shtetit. Shteti nuk mund të kufizohet “duke marrë masa vetëm për një
pjesë të shtetasve”, domethënë për atë të pasur e të begatshëm dhe nuk
mund “të lërë pas dore pjesën tjetër, që padyshim përfaqëson shumicën e
madhe të trupit shoqëror; përndryshe cënohet drejtësia, e cila dëshiron
t'i jepet secilit e vetja. “Megjithatë, në mbikëqyrjen e këtyre të
drejtave të privatëve, duhet të kushtohet vëmendje e veçantë ndaj të
dobtëve dhe të varfërve”.
Së fundi, duhet të
kemi parasysh, për një kuptim të saktë të enciklikës, se në bazë të
doktrinës shoqërore të Kishës është konceptimi i saktë i personit
njerëzor dhe i vlerës së tij unikale, pasi “njeriu… në tokë është e
vetmja krijesë që Hyji ka dashur për vetveten” (Gaudium et Spes 24) dhe
në të ka gdhendur përngjasimin dhe shëmbëlltyrën e tij (krh. Zan 1, 26),
duke i dhënë një dinjitet të pakrahasueshëm: të jetë bir i Hyjit.
maj -qershor 2005 |