|
|
E KREMTE MADHËSHTORE NË LAÇ TË KURBINIT
13 qershor, festa e Shën Antonit
Ata që e
njohin, ata që i kanë përjetuar mrekullitë e tij, mezi e presin festën e
tij. Por edhe të tjerë, të cilët vetëm kanë dëgjuar për të, e përjetojnë
praninë e tij në mënyrën e tyre. Mjafton të besosh, të kërkosh
ndërmjetësinë e tij tek Hyji dhe zemra e shpirti qetësohen.
Tashmë të
gjithë e njohin dhe e dinë se kush është ai shenjt i madh, shenjti i
botës, shenjti mrekullibërës në të gjithë popujt, i cili jetoi nga 18
gusht 1195 - 13 qershor 1231
Festa e tij
mbledh rreth vetes mijëra e mijëra njerëz në nderim të tij, por edhe çdo
ditë e marte është e mbushur me lutje drejtuar këtij shenjti të madh.
Një privilegj të veçantë në këtë ditë feste, por edhe gjatë të marteve
(sidomos gjatë 13 të marteve para festës) e ka qyteti i Laçit, i cili me
kënaqësi i mikpret besimtarët e vendeve të ndryshme të Shqipërisë.
Edhe këtë
vit, qyteti nuk ishte në gjallëri vetëm ditës e festës së 13 qershorit,
por edhe në çdo të marte e të shtune, kur besimtatët kanë shtegtuar
drejt vendit të shenjtë. Me rastin e kësaj feste ishte treditëshja gjatë
së cilës besimtarët e kanë vazhduar shtegtimin e tyre deri një ditë pas
festës. Gjatë kësaj kohe, pa u lodhur, kanë punuar Fretërit Minorë
Françeskanë, të cilët u janë përkushtuar të gjithë besimarëve pa dallim,
me këshilla, sugjerime e bekime.
Natën dhe
ditën e festës, jo vetëm sheshi, por edhe kodrat përreth Shenjtërores
ishin mbushur plot me njerëz, të cilët kishin ardhur nga të gjitha anët
e vendit. Përveç meshtarëve françeskanë, për t'u ardhur në ndihmë ishin
të pranishëm edhe meshtarë të tjerë. Meshën e natës në orën 1200, e
kremtoi don Nikolin Toma, i cili kishte ardhur nga Shkodra. Gjatë
predikimit ai iu drejtua besimtarëve me fjalë shumë të rëndësishme. Mes
të tjerave ai tha: “Kemi ardhur nga Konispoli e nga Vermoshi dhe jemi
bashkuar të gjithë për një qëllim: që ta adhurojmë Zotin, por edhe ta
nderojmë dhe ta respektojmë këtë shenjt të madh, Shën Antonin. Kemi
ardhur me njete e nevoja të ndryshme që t'i shprehim përpara këtij
shenjti. Ky shenjt na mëson siç na ka mësuar edhe vetë biri i Hyjit që
ta duam njeri tjetrin, sepse të gjithë jemi krijesa të Zotit, jemi
shëmbëllesa e Tij, krijesa më e bukur e Tij”. Këto dhe fjalë të tjera të
tij, populli i dëgjoi me shumë kënaqësi.
Meshën
kryesore në orën 1100, në ditën e festës, e udhëhoqi arqipeshkvi Imzot
Rrok Mirdita në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë. I pranishëm ishte
edhe Provinciali Françeskan, Atë Nue Gashi, i cili kishte qenë gjatë
gjithë kohës i pranishëm në ndihmë të besimtarëve.
Arqipeshkvi
tregoi se me kënaqësi kishte pranuar ta kremtonte Meshën e festës në
këtë vend të shenjtë. Ai iu drejtua besimtarëve me fjalë vërtet të
bukura: “Shën Antoni nuk ka lindur shenjt, por është bërë i tillë gjatë
jetës së tij, duke ndjekur ligjet dhe urdhërimet e Zotit. Edhe ne jemi
të thirrur për t'u bërë të shenjtë dhe për këtë të marrim shembull prej
këtij Shenjti. Mos të mbledhim pasuri të kësaj bote, të cilën e bren
ndryshku dhe krimbat, por të mbledhim visare për jetën e pasosur.”
Në
shenjtërore gjatë këtyre ditëve, pa ndërprerje, përveç Meshëve, ka pasur
edhe bekime e lutje, të udhëhequara nga diakonat françeskanë. Ndërsa në
Liturgji ndihmuan motrat “Bijat e Dashurisë Hyjnore” me disa fëmijë të
famullisë dhe novicet e ardhura nga Shkodra. Nga Shkodra kanë qenë të
pranishëm edhe një grup vullnetarësh, të cilët kanë vepruar e kanë
ndihmuar gjatë këtyre ditëve. Bashkë me ta ishin të pranishme eshe dy
motra të bashkësisë së “Krishtit Fëmi”. Të gjithë punuan pandërprerë dhe
pa u lodhur në shërbim të të gjithë njerëzve, të cilët ishin të
pranishëm gjatë këtyre ditëve.
Ishte gjë
shumë e bukur tek shihje gjithë ata njerëz që shtegtonin duke ardhur nga
rrugë e drejtime të ndryshme drejt një vendi të vetëm, drejt kishës së
shenjtit të gjithë botës, Shën Antonit.
Bijat e
Dashurisë Hyjnore, Laçi i Kurbinit
maj -qershor 2005 |
|