|
|
SUKAJ-DAJÇ, BREGU I BUNËS -
BEKOHET KISHA E RE
Dita e 11 qershorit të
këtij viti për besimtarët e Sukaj Dajçit të famullisë së Dajçit të
Bregut të Bunës, do të mbetet e paharruar. Në këto ditë, këto, së bashku
me miq të ardhur nga fshatrat përreth, nga SHBA, Italia, Kosova, morën
pjesë në bekimin e kishës së re të ndërtuar që nga themelet, me ndihmën
e pakursyer të bashkëfshatarëve të tyre që aktualisht jetojnë e punojnë
në Amerikë.
Kisha është e bukur, ka
të gjitha mjediset, kumbonaren, këmbanat, që më tepër se kurrë këto ditë
jehuan duke dhënë lajmin e gëzueshëm të bekimit të këtij objekti kulti,
të cilin ebëri Shkelqësia e tij, Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv
Metropolit i Kryedioqezës Shkodër Pult, duke udhëhequr Meshën e
shenjtë, në bashkëkremtim me famullitarin e Dajçit, Dom Gjergj Simonin.
Ky i fundit, para fillimit të meshës, do ta falenderonte Shkëlqesinë në
fjalë, të pranishmit dhe do të tregonte në vija të përgjithshme se si
filloi ndërtimi i kishës dy vite më parë, di u gjetën donatorët,
mjeshtrat, etj. nga ana tjetër, famullitari do të lajmëronte Imzot
Massafrën se në famullinë të cilën ai e drejton , kishte tre vjet që nuk
rregjistrohej ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme. Falenderimin do ta
mbyllte me porosinë e Atit të Shenjtë, Papës Benediktit XVI, dhënë në
Kongresin e mbajtur kohët e fundit në Bari të Italisë për shenjtërimin e
ditës së diel. Njëkohësisht falenderimet më të përzemërta ia drejton
edhe donatorëve, popullit që nuk kurseu asgjë për ta përfunduar këtë
kishë, menjëherë filloi ceremonia e bekimit të ujit nga Arqipeshkëvi,
me të cilin u bekua ndërtesa brenda dhe jashtë, si dhe besimtarët e
pranishëm. Pastaj vazhdoi Mesha e shenjtë dhe në homelinë e mbajtur nga
prelati në fjalë, vihet në dukje në fillim gëzimi që ai e ndiente ai
dhe duke marrë pjesë në bekimin e kësaj kishe të re dhe në domethënien e
ungjillit të ditës kur bëhet fjalë për ndërtimin e një kishe të re në 3
ditë, që ka si kuptim vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit. Pastaj,
ndërtimin e kësaj kishe e lidhi me sa e sa kishë të reja që janë
ndërtuar në këto vitet e fundit, duke zëvendësuar ata kishë që u prishën
gjatë diktaturës në Shqipëri. Për këtë kërkonte që të gjithë ta
falenderonin Zotin. Një falenderim tjetër ua drejtoi donatorëve,
famullitarit, Atit të Shenjtë, si dhe përshëndeti autoritetet që ishin
të pranishëm. Duke iu drejtuar besimtarëve, theksoi se Kisha është e
tyre, prandaj ajo duhej frekuentuar, ashtu siç porosiste kohët e fundit
Ati i Shenjtë.
Edhe në këtë ceremoni,
prelati shprehu shqetësimin që ka sot Kisha për thirrje të reja, duke
dëshirruar që edhe në këtë fshat duhej të kishte thirrje të tilla për
meshtarë e për motra rregulltare. Duke përfunduar porositi që duhet të
punojmë për të ndërtuar Kishën shpirtërore, të vazhdojmë zbatimin e
detyrave që shtron viti 2005, si viti i Eukaristisë, të kemi dashuri dhe
e mbylli me fjalët: “E gëzofshi këtë kishë të re!”
Pas homelisë vazhdoi
mesha me bekimin e altarit të ri, të trupores së Shën Kollit, të cilit i
kushtohet kisha në fjalë dhe të truporeve të shenjtërve të tjerë, të
vendosura në këtë kishë. Para përfundimit të Meshës u bënë falenderime
edhe në adresë të Shkëlqesisë, të donatorëve, të projektuesve e
zbatuesve e të gjithë atyre që dhanë shuma të mëdha dollarësh për
ndërtimin e saj, të famullitarit, që i është gjendur pranë dhe dhunë e
shumë të tjerëve. Në fund prelati dha bekimin dhe besimtarët u
shpërndanë duke ruajtur mbresa e kujtime për këtë ditë të shënuar për
ta.
Në ceremoninë e bekimit
nderonin me pjesëmarrjen e tyre deputetë dhe kryetari i Komunës Dajç
Bregut të Bunës, e gjithë ceremonia u përcoll nga kori i të rejave të
fshatit.
Me këtë rast për të
ftuarit, u shtrua një tryezë familjare në Bar Restorant “Marçelo”
Bajzë, me pronar Popaj.
Lec Zadeja
maj -qershor 2005 |
|