|
VËSHTRIM MBI ZOTIN TRINITAR
Vështrim
biblik-teologjik-letrar-artistik
Me rastin e
vitit jubilar 2000, Universiteti L'Aquila ka publikuar librin La
Trinità: Approccio biblico teologico leterario artistico, a cura di:
P. BERTONE GIUSEPPE S.J. Issra L'Aquila 2000. (Trinia, vështrim biblik
teologjik letrar artistik)
Këto
studime meritojnë një konsideratë të veçantë, sepse vënë në dukje se
Trinia Shenjte nuk është një realitet abstrakt, larg nga e përditshmja,
por ka ekzistuar para krijimit të botës dhe se e udhëheq njeriun drejt
një dashurie të pakufi që vetëdhurohet brenda jetës Trinitare e jashta
saj, në hapësirë e në kohë.
Kohët e
fundit janë bërë dhe po bëhen kërkime dhe studime të rëndësishme rreth
misterit të Trinisë Shenjte si qendër të jetës dhe fesë krishterë.
Autorët
(MONDI dhe BERTONE) në fushën e studimeve kanë si qëllim të vënë në
dukje imanencën dhe në të njëjtën kohë trashendencën e Trinisë Shenjte
në jetën e të krishterëve, dhe se të krishterët besojnë në një Zot të
vetëm dhe Trinitar sikurse thotë edhe G.B. Mondin: «Misteri i Trinisë,
d.m.th., misteri i Atit, i Birit dhe i Shpirtit Shenjt, përbën së bashku
me misterin e Mishërimit zemrën e fesë së Krishterë». (MONDIN G.B.,
“Centralità del mistero Trinitario nella fede e nella vita
cristiana”(Centraniteti i misterit Trinitar në fe dhe në jetën e
krishterë). Duke lexuar librin e lartpërmendur, shohim qartë se autorët
vënë në pah origjinën e Trinisë që në Besëlidhjen e Vjetër, aty gjejmë
Hyjin si krijues, pra si Atë, Dijen e Hyjit d.m.th, Birin e Tij dhe
Shpirtin e Hyjit si rigjallërues. Janë me rëndësi shumë të madhe edhe
disa studime në Besëlidhjen e Re parë nga këndvështrimi Trinitar. Në
Besëlidhjen e Re gjejmë formulimet e para të Trinisë Shenjte, në disa
pjesë të veçanta të Ungjinjve e në letrat e Shën Palit. Në këto tekste (
Mt 28 18 20; 1 Kor 12, 4 6; 2 Kor 1, 21 22; Ef 4, 3 6) shohim se të
krishterët nuk pajtohen me monoteizmin hebraik, për të vetmen arsye, se
ata kanë pasur përvojën e Hyjit Trinitar.
Shën Pali
flet për Trininë Shenjte duke u bazuar në jetën e përditshme dhe jo nga
përcaktimi i dogmave siç bënin koncilet. Si përfundim, këto studime,
qoftë në Besëlidhjen e Vjetër, qoftë në Besëlidhjen e Re, vënë në dukje
praninë e Trinisë si dashuri që shpreh dhe tregon kuptimin e jetës së
njeriut, por jo të shprehur në dogma siç do të ndodhte në koncilin e
Nicesë e më pas gjatë historisë së Kishës.
Si vijim ia
vlen të theksojmë dy studimet mjaft cilësore të poetëve italianë dhe
botërorë Dante dhe Leopardi.
Leopardi
njihet si poet dhe prozator pesimist dhe këtë e vërejmë veçanërisht në
“Veprat morale” të shkruara rreth viteve 1824 1832. Një nga tematikat
që Prof. G. Bertone vë në dukje është ajo e lumturisë që për poetin
është e paarritshme e që bie në kundërshtim me krishterimin. Po i njëjti
studiues vë në dukje aspektin Trinitar që është një nga aspektet më
kryesore në Komendinë Hyjnore të Dantes:
«Edhe besoj
n'tri vehtjet e amshueme,
besoj n'një
qenje t'treshit e t'njësisë,
tue çmue
'janë' edhe 'asht' si të bashkueme »
(Parajsa
XXIV, 139-41), Dante Alighieri, Komedia Hyjnore, (përkthim) Rilindja,
Prishtinë 1981)
Raporti mes
tre Personave (vehtjeve) Hyjnorë është i karakterizuar nga një Dashuri
që nuk ka kufi, një Dashuri e amshuar.
Teologjia
lindore mbi Trininë sipas T. Šplidlík
T. Šplidlík
në librin e përgaditur nga P. BERTONE, në temën Trinia në teologjinë
lindore, fillon studimin e tij duke u nisur nga “Besoj” që shpall Kisha
Katolike dhe Kisha lindore duke vënë theksin në presje që vihet në
Kishën Katolike mbas: “Besoj në një Hyj”, dhe mbas një pushimi të vogël
“Atin e gjithpushtetshëm”, gjë që sipas autorit lënë pak në hije
aspektin Trinitar. Ndërsa në “Besoj” të shpallur nga Bizantinët, presja
vihet mbas “Besoj në një Hyj Atin e gjithpushtetshëm”.
Pastaj
autori kërkon të bëjë lidhje mes fesë në Trininë Shenjte dhe kontekstit
historik të kulturës evropiane. Ky qëllim është mjaft i dobishëm, sepse
qoftë materialismi primitiv dhe ai shkencor, qoftë idealizmi dhe
racionalizmi, nuk kanë arritur të japin zgjedhje konkrete për njeriun.
Në këtë realitet vjen shpallja e Ungjillit.
Realiteti i
ri që sjell Ungjilli është ky: “Na zbulohet që Hyji është Atë, person i
gjallë, person krejtësisht i lirë e që jeton një relacion dashurie me
Birin e tij dhe me Shpirtin Shenjt, por raportet e tyre zhvillohen në
njësinë e një të vetmit Hyj absolut[...] Në atë gjejmë harmoni në
dashuri dhe në ligje, zellin krijues e nevojën e ideve të përhershme,
vlerën e personit të gjallë dhe bashkimin e përkryer me të tjerët”.
Autori
vazhdon me studimin e tij duke trajtuar zbulimin e Trinisë Shenjte në
Besëlidhjen e Re, por ky zbulim është i pranishëm që në Besëlidhjen e
Vjeter: dashuria e Hyjit për Izraelin është si e një Ati dhe e
konsideron popullin e zgjedhur si Birin e tij. Nëpërmjet Fjalës Hyji na
jep vetveten; e nëpërmjet Dijes që na dëftohet si Person, sikurse Fjala,
ne i afrohemi Hyjit. Si Fjala dhe Dija i përshtaten Krishtit. Edhe
Shpirti i Hyjit na shfaqet si dhënës i jetës.
Jo vetëm në
Shkrimin e Shenjtë na zbulohet misteri i Trinisë, por edhe në Kishën e
shenjtë që është konsideruar ikonë e të Shejtërueshmes Trini, pra vepër
e përbashkët e tre Personave Hyjnorë. Etërit e Kishës e kanë parë atë si
një vreshtë të mbjellur prej Atit dhe përcjellëse e Krishti gjatë
shekujve. Mos të harrojmë aspektin pneumatologjik që ripërtrin dhe
gjallëron Korpin e Krishtit. Jo vetëm kaq! Misterin e Trinisë e shohim
të zbuluar dhe të realizuar edhe tek sakramentet. Autori ynë ndalet në
një trajtim të veçantë të sakramentit të martesës në raport me Trininë
Shenjte dhe bën këtë përfundim: “ati i familjes është përngjasimi i
Hyjit Atë, gruaja përngjasimi i Birit dhe fëmijët përngjasimi i Shpirtit
Shenjt. Ky përngjasim bëhet sepse brenda dashurisë së Atit dhe Birit
rrjedh Shpirti Shenjt” thekson ndër të tjera Prof. T. Šplidlík.
Trinia
Shenjte sipas mësimeve të islamit
Edhe
studiuesi tjetër Prof. G. Gharib, në të njëjtin libër të përgatitur nga
P. BERTONE paraqet temën: Trinia Shenjte e parë sipas islamizmit
Islamizmi,
feja e tretë monoteiste në botë dhe e dyta për nga numri i besimtarve,
është bërë padyshim subjekt i dëshirueshëm studimesh i shumë studiuesve
që kanë pasur si qëllim njohjen e saj dhe sesi ajo trajton misteret
qendrore të fesë së krishterë. Autori vë në dukje sesi feja Islame e
sheh Trininë Shenjte në raport me përceptimin e tyre që kanë mbi Zotin.
Sigurisht problemet nuk mungojnë. Misioni i Muhamedit filluar në Mekë në
v. 612 e që përfundoi në Medinë në v.632, që prej fillimit deri në fund,
një luftë kundër paganizmit. Shumë prej arabëve në kohën e Muhamedit
besonin në shumë zota. Kështu Muhamedi e ka të vështirë të predikojë një
Zot të vetëm.
Në Suren
112 të Kur'an-it, në mënyrë të qartë shpreh se Allahu (Zoti) është Një
(Ahad), nuk ka lindur dhe nuk është i lindur (lam yaled ëa lam yulad).
Kjo frazë: “nuk ka lindur dhe nuk është i lindur”, i referohet më parë
pantheonit të ndërtuar në Mekë, dhe mandej u është referuar edhe të
krishterëve duke iu kundërvënë Trinisë Shenjte. Eshtë e veçantë Sura 53
e Yllit, ku gjenden në të “fjalët satanike” të cilat Muhamedi i pat
shkruar pas një diskutimi të gjatë me kundërshtarët e tij paganë. Në
këtë Sure gjejmë të përshkruara “tre hyjneshat e bukura” (Gharaniq) që
duhen lutur si ndërmjetëse, por, thekson autori, porositë e tyre nuk
kanë të bëjnë fare me fenë myslimane. Sipas traditës janë quajtur
“fjalët satanike”.
Ky episod
ka ndikuar shumë edhe në marrëdhëniet me të krishterët që quhen nga
Muhamedi “njerëz të librit” dhe që i akuzon se adhurojnë një Trini të
përbërë sipas tij nga Allahu i cili nëpërmjet Maryam (Marisë) ka një
fëmijë (Issa) Jezusin: për këtë arsye janë më të këqinj e duhen luftuar.
Ky është një gabim i Muhamedit në konceptimin e Trinisë Shenjte sepse
për të krishterët Maria nuk është hyjneshë dhe se Trinia Shenjte është e
përbërë nga tre Persona: Ati, Biri e Shpirti Shenjt në një Zot të vetëm.
Kur'ani nga
njëra anë i vë të krishterët përkrah Monoteistave dhe nga ana tjetër i
konsideronte triteista, d.mth. se besojnë në tre Zota. Kur'ani flet
shumë edhe për Jezusin në Suret 5; 9; 19; duke e shikuar atë si një
shërbëtor të Zotit e profet të madh, të dërguar prej Zotit, por jo si
Birin e Hyjit, sepse për myslimanët Hyji nuk është Atë “Abb” por është
“Rabb” Pronar dhe Krishti nuk është Biri por shërbëtori “Abd”. Edhe për
Marinë Kur'ani ka shumë respekt dhe e konsideron si model për
besimtarët. E ngre lart edhe amësinë e virgjërinë e Marisë, por nuk e
konsideron atë si Hyjlindëse.
Pas
Muhamedit shumë teologë dhe myslimanë të thjeshtë sipas mendimit të
autorit - duke përvetësuar mësimet e Kur'anit kanë arritur në të
njëjtat përfundime duke i konsideruar të krishterët si triteista dhe se
i kanë afruar Zotit të vetëm hyjni të tjera.
Duke parë
këtë keqinterpretim të Trinisë Shenjte nga ana e Kur'anit, të krishterët
mbrohen dhe përgjigjen, duke treguar se e Shenjtërueshmja Trini është
zbuluar në Shkrimin e Shenjtë dhe pohuar në traditën e Kishës dhe se
tjetër është misteri i Trinisë në fenë e krishterë e tjetër është
koncepti i Trinisë i paraqitur prej Muhamedit. Këtë gjë e bëjnë më së
pari të krishterët lindorë duke u mbrojtur nga akuzat ndaj teologjisë së
tyre e duke krijuar një teologji arabe të krishterë që prej shek. VIII e
deri në kulmin e saj në shek. XIV, e cila ka ndikuar shumë dhe do të
ndikonte edhe tani për dialogë me Islamizmin.
Të njëjtën
gjë bën edhe Kisha perëndimore me teologët e saj të shquar në fushën e
studimeve filozofike e teologjike duke e argumentuar Trininë Shenjte si
qendër të fesë së krishterë. Kalojnë shekujt në mbrojtje dhe akuza pa
arritur asgjë. I duhej Koncilit II të Vatikanit të bënte revolucionin
kopernikan, duke vlesuar të gjitha religjonet, pa e mohuar identitetin e
vet, në këndvështrimin e gjërave që na bashkojnë e jo të atyre që na
ndajnë.
Duke e
përfunduar këtë vëzhgim të shkurtër të këtij libri, mendojmë se është
shumë e vlefshme edhe për ne sot që jetojmë në këtë realitet të njohim
misterin kryesor të fesë sonë të parë nga botëkuptimi i krishterë dhe
nga ai jo i krishterë për t'u rritur siç duhet në të vërtetën e zbuluar.
Fra
Viktor Demaj
maj -qershor 2005 |