|
BASHKËSIA
KATOLIKE SHQIPTARE ROMË
Mbi
rëndësinë e një qendre katolike në Romë
Numri i
madh i pranisë shqiptare në qytetin e Romës dhe provinca (sipas Dosierit
të fundit të Caritas, janë më shumë se 5.000), një rritje e aspektit
fetar edhe si rrjedhojë e integrimit në shoqërinë italiane, janë
premisat më të mira për të menduar një projekt të mirëfilltë në qytetin
e Romës nëpërmjet pranisë së bashkësisë katolike në zemër të qytetit.
Tradicionalisht, bashkësitë e emigrantëve nëpër botë e në veçanti ato
katolike kanë qënë qëndra të vërteta të një rritjeje fetare e social
kulturore që kanë influencuar jo vetëm mjedisin ku ndodheshin, por edhe
shumë aspekte në Shqipëri.
Misioni
katolik shqiptar, si një qendër e mirëfilltë, ka për qëllim njeriun
total në të gjitha aspektet e tij. Për këtë një ndërhyrje fetare duhet
shoqëruar me një tjetër, jo më pak të rëndësishme, në aspektin social
kulturor.
Nuk bëhet
fjalë për të krijuar një “fole” apo “geto” ku shqiptarët të ndihen të
mbrojtur nga mjedisi i jashtëm. Integrimi i emigrantëve ka qënë
mesatarisht mëse i arritur. Një qëndër e tillë ka për objektiv formimin
dhe edukimin fetar duke kaluar edhe nga organizimi i aktiviteteve të
ndryshme social kulturore.
Disa
projekte për bashkësinë
A. Qendra e
dëgjimit dhe orientimit (Centro d'ascolto).
Kryen një
shërbim të çmueshëm ndaj kërkesave të ndryshme për informacion (çështje
legale, punësimi, strehimi, ndihme mjekësore…). Shumë vështirësi
fillestare lindin për mungesë informacioni. Krijimi i një rrjeti të
tillë do ndihmonte shumë edhe në njohjen më të mirë të realitetit të
emigrantëve. Mund të jetë edhe një qendër që e hap aktivitetin e saj në
favor edhe të disa aspekteve problematike si burgjet, prostitucioni, të
miturit, shkollat, universitet… me qëllimin parësor që të krijojnë ura
lidhjeje mes “kërkuesve ndihmë” dhe institucioneve që mund të ofrojnë
përgjigje konkrete kur është e mundur. Thjesht informacioni kthehet në
një mundësi më tepër për të përballuar situatat e vështira.
B.
Sekretaria
Një
aktivitet i tillë që kërkon edhe mbajtjen e informacioneve si adresa,
nr. telefoni, kontakte të ndryshme apo skeda personale, por edhe nevoja
për të kryer shërbimet e kontakteve me anëtarët e bashkësisë, mirëbajtja
dhe përgatitja e dokumentave apo shkresave të ndryshme, etj, bëjnë të
nevojshme krijimin e një sekretarie (edhe part time).
C.
Buletini mujor
Një mënyrë
konkrete për të lidhur realitetin roman por edhe bashkësitë e tjera
katolike nëpër Itali, por edhe impenjimi i laikëve në një projekt
konkret. Ja cilat mund të jenë disa prej qëllimeve të këtij publikimi:
- Informim:
iniciativa, jeta e bashkësisë, aspekte të ndryshme që lidhen me
migrantët shqiptarë, etj
- Formim:
një mënyrë dhe një vështrim ndryshe mbi probleme që lidhen me praninë
shqiptare në Itali, nxitjen e një ndërgjegjësimi shoqëror e fetar
- Rrjet:
njohja e realitetit katolik shqiptar jo vetëm në Romë, bashkëpunimi me
realitete të tjera, etj.
Redaksia
qendrore mund të jetë si fillim e përbërë prej 4 5 vetash. Në këtë pikë
mund të ketë bashkëpunim: një mundësi konkrete për të ushtruar
kompetencat, njohuritë sipas mundësive që kanë emigrantët edhe si
rivlerësim i tyre në një mjedis që jo shpesh i detyron të bëjnë punë që
s'lidhen fare me profesionin e tyre kërkohet edhe ndihma e gazetarëve të
Radio Vatikanit apo realitete të tjera editoriale shqiptare në Romë.
D.
Qendra kulturore
Është
traditë që mjediset katolike kanë qenë frymëzuese, nxitëse dhe
mbështetëse të një rritjeje jo vetëm shpirtërore por edhe intelektualo
kulturore. Mundësia e një qendre fizike me një mjedis larg qarqeve
politike apo interesave ekonomike është më se e favorshme për të
propozuar një Qendër të mirëfilltë kulturore shqiptare.
Muzika, por
edhe zhanre të tjera artistësh, aktivitete kulturore, organizimi i
konferencave apo prezantimeve etj. etj, që ndihmojnë jo vetëm për një
njohje më të mirë të realitetit shqiptar dhe paraqitjes së tij, por edhe
një mundësi më tepër për individë apo grupe për t'u prezantuar dhe për
të pasur mundësinë që të shprehin njohuritë e tyre (prezantimi i një
libri, një filmi, tema të ndryshme, ekspozita salla poshtë është ideale
për aktivitete të tilla koncerte për raste të veçanta etj).
Bashkëpunimi në këtë aspekt me realitete të tjera të ngjashme (shoqata,
universitarë, etj).
Nuk do
ishte keq ideja e një biblioteke me libra shqip apo për Shqipërinë që
mund t'i kërkohen edhe në formë donacioni botuesve të ndryshëm apo të
sigurohen me financime.
Kjo qendër
mund të ofrojë edhe kurse në gjuhën italiane (kaq e rëndësishme për
integrimin) dhe në gjuhën shqipe.
Një
propozim për emrin
Qendra
Kulturore mund të marrë emrin MIKEL KOLIQI për disa arsye: figurë
intelektuale e njohur në mjedise katolike e jo vetëm në Shqipëri, por
edhe një njohje e tij në Itali, sidomos pas emërimit së tij kardinal,
muzikant dhe kompozitor, njohës i mirë i letrave shqipe, me një kulturë
të gjerë, dhe si nxitës i shumë aktiviteteve kulturoro shoqërore gjatë
jetës së tij.
I gjithë
aktiviteti i Misionit Katolik duhet të jetë krejtësisht pa qëllim fitimi
dhe shërbimet krejtësisht falas (financimet janë një tjetër aspekt).
Sigurisht njerëzit e gatshëm dhe të përgatitur nuk mungojnë.
Objektivi:
T'i japësh një mundësi shprehëse dhe t'i aktivizosh duke përcjellë
vlerat njerëzore e të krishtera. Sigurisht nuk bëhet absolutisht fjalë
për një qendër sociale por për një Mision Katolik që ka në zemër
problemet tërësore që ndeshin sot emigrantët dhe i përgjigjet sfidave me
propozime konkrete.
Kjo mënyrë
organizimi është bërë tashmë praktikë mëse e provuar edhe në misione të
tjera si në Romë ashtu edhe jashtë saj.
mars - prill 2005 |