ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

 Kardinali Jozef Ratzinger

 

"Papa Ynë i Dashur”

 

Prelatët më të lartë të kishës katolike, presidentë, kryeministra, mbretër, besimtarë nga të gjitha viset e globit  ishin bashkuar  me 8 prill në Sheshin e Shën Pjetrit, për t'i dhënë lamtumirën e fundit Papës Gjon Palit II, në një shërbesë funerale që solli në Romë miliona vetë, në një prej grumbullimeve më të mëdha fetare të kohëve moderne.

Delegacionet e huaja nga SHBA, Izeraeli, Siria, Irani, Palestina, Afganistani, Ukraina etj. (më shumë së 200) dhe përfaqësuesit e Kishës kishin zënë vend në Sheshin e Shën Pjetrit për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit. Në të majtën e sheshit  kanë qenë ulur kryeipeshkvinjtë, ipeshkjvinjtë dhe abatët  e Romës, etj. Në të djathtë të sheshit, përballë Bazilikës ishin ulur përfaqësuesit  e mbretërve. Pas tyre krerët  e shteteve dhe qeverive, më pas ministrat e Punëve të Jashtme e pas tyre ambasadorët. Delegacioni shqiptar, sipas burimeve zyrtare, ishte i përfaqësuar nga  Presidenti Alfred Moisiu, kryeministri Fatos Nano, ambasadori në Vatikan Zef Bushati dhe dy ish  presidentët e vendit, Sali Berisha dhe Rexhep Mejdani. Ndërsa delegacioni nga Kosova ishte i kryesuar nga presidenti Ibrahim Rugova, kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tjerë.

Kisha katolike në Shqipëri ishte e përfaqësuar nga kryeipeshkvinjtë Imzot Angelo Massafra, presidenti i Konferencës së Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i Metropolisë Tiranë  Durrës, Imzot Hil Kabashi, ipeshkëv i Administraturës Apostolike të Shqipërisë së Jugut, si dhe administratorët e dioqezave të Sapës dhe Rrëshenit, Imzot Dodë Gjergji dhe Atë Kristofor Palmieri.

 

Kardinali Jozef Ratzinger,

“Papa ynë i dashur”

Duartrokitjet shpërthyen teksa arkivoli i drunjtë i Gjon Palit II, i stolisur me një kryq dhe një M (Maria), u nxor nga Bazilika e Shën Pjetrit dhe u vendos në një tapet para altarit. Libri i Ungjillit u vendos  mbi arkivol, ndërkohë që era shfletonte faqet e tij.

Kori i Vatikanit këndoi Himnin Gregorian “Jemi Prehje të përjetshme, o Zot” dhe më pas vijoi shërbesa. Kardinalët, të veshur me rroba fetare të bardha e të kuqe, nisën të ecnin nëpër shesh, ndërsa veshjet ua trazonte era.

Kardinali Jozef Ratzinger, kreu i Kolegjit të Kardinalëve, një njeri i besuar i Gjon Palit II udhëhoqi Meshën dhe e përmendi atë si “Papa ynë i dashur” gjatë predikimit, i cili përmblidhte jetën e Papës, që nga koha kur punonte  në fabrikë në Poloninë e pushtuar nga nazistët, deri në ditët e tij të fundit, si kreu i 1 miliard katolikëve në botë.

I ndërprerë më shumë se 10 herë nga duartrokitjet e të pranishmëve, Ratzinger, një Gjerman zakonisht gjakftohtë, u mallëngjye tek kujtonte një prej shfaqjeve të fundit në publik të Gjon Palit II  kur ai bekoi besimtarët për Pashkë, që nga dritarja e studios së tij.

“Ne mund të jemi të sigurtë se Papa ynë i dashur qëndron sot në dritaren e shtëpisë së Atit, që ai na sheh e na bekon”, tha ai mes duartrokitjeve edhe të klerikëve të lartë, duke treguar me dorë nga dritarja në katin e tretë, mbi shesh. “Sot ne varrosim eshtrat e tij në tokë si farë e pavdekësisë Zemrat tona janë të mbushura me trishtim e në të njëjtën kohë me shpresë e mirënjohje të thellë”, tha Ratzinger në një italishte me theks të rëndë. Ai tha se Gjon Pali ishte një “prift deri në fund” dhe tha se ai kishte ofruar jetën e tij për Hyjin, “sidomos mes vuajtjeve të muajve të fundit”.

Ratzinger u ndërpre edhe një herë teksa i afrohej fundit të fjalimit nga brohoritjet, duartrokitjet ritmike dhe thirrjeve “Gjon Pali Shenjt”, ose “Shenjti Gjon Pali”, nga turma. Në fillimin e Meshës, Ratzinger iu lut Zotit që “t'i japësh shërbyesit tënd dhe Papës sonë, Gjon Palit II, i cili me dashurinë e Krishtit udhëhoqi Kishën tënde, shpërblimin e premtuar të gjithë barinjve besimtarë të Ungjillit”.

Afro 300.000 mijë vetë e kishin mbushur Sheshin e Shën Pjetrit, ndërsa të tjerë u derdhën në Rrugën e Pajtimit që të çon drejt lumit Tiber, por 4 milion të tjerë e panë ceremoninë në ekrane gjigande të ngritur nëpër Romë. Sheshi i Shën Pjetrit dhe bulevardi që çon drejt tij ishin një det i vërtet flamujsh të kuq e të bardhë që valëviteshin prej shtegtarëve të ardhur nga vendlindja e Papës, Polonia.

“Donim t'i thonim lamtumirë për herë të fundit Atit tonë”, tha Joana Zmijevlsa, 24 vjeçe, e cila kishte udhëtuar për 30 orë nga vendlindja e saj deri në Romë.

 

Salikimi tek varri

Pas ceremonisë së zhvilluar në Sheshin e Shën Pjetrit, nisi salikimi i fundit i Papa Gjon Palit II, me një ceremoni intime, në të cilën morën pjesë vetëm klerikë të lartë, të cilët vendosën një çantë me medalje argjenti dhe bronxi, si dhe një dorëshkrim, ku përfshihej e gjithë jeta e tij, në arkivol. Sekretari i tij privat, kryeipeshkvi Stanislav Dziviz dhe mjeshtri i ceremonive liturgjike, kryipeshkvi Piero Marini vendosën një  vello të mëndafshtë mbi fytyrën e Papës, përpara se të mbyllej arkivoli. Dzivi u pa të lotojë disa herë gjatë zhvillimit të Meshës në Vatikan. Selia Shenjte e kishtë nxjerrë Testamentin e Papës në prag të funeralit, shkruar në gjuhën polake, gjatë, më shumë se 27 viteve, duke filluar pesë muaj pas ditës së zgjedhjes në tetor 1978. Ai jepte udhëzime për varrimin e tij dhe gjithashtu i thoshte sekretarit privat që të digjte shënimet përsonale pas vdekjes. Trupi u zhvendos thellë nën Bazilikë, ku iu bashkua eshtrave të disa Papëve, që janë varrosur prej shekujsh pranë varrit tradicional të Pjetrit Apostull, Papës së Parë.

Papa Gjon Pali II kishte kërkuar në testamentin e tij që të varrosej në dhè e trupi i tij u vendos për t'u prehur nëntokë, poshtë Bazilikës. Varri i tij është mbuluar me një gur të sheshtë, mbi të cilën është gdhendur emri i tij dhe data e lindjes dhe e vdekjes.

 

 

mars - prill 2005

 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster