ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

 TA JETOSH MESHËN 

(pjesa e pestë)

 

Në heshtje me Hyjin

Hyji na bën të vetëdijshëm për praninë e Tij në shumë mënyra. Fjala e Tij ka shumë zëra. Si një pasqyrë, çdo gjë në këtë univers  reflekton disa faqe të forcës së Tij, të dashurisë së Tij krijuese. Në madhështinë e maleve, në tërbimin e stuhisë, në lulen e pranverës në një të çarë muri, ne gjejmë Atë.

Kur Ai erdhi tek Elia në Malin Horeb, zëri i tij nuk ishte në erë, as në tërmet, por në “puhizën e frymës së hollë”. (1 Mbr 19. 12)

Ashtu sikur Ai vjen drejt nesh në shumë mënyra, edhe përgjigja jonë ka shumë forma.

Si anëtarë të bashkësisë të mbledhur për kremtimin e Meshës, ne i lartësojmë zërat tanë në një kori të madh, në përgjigje apo në këngë, në një tingull të fuqishëm siç përshkruhet nga Shën Ambrozi, “si një gjëmim dallgësh”.

 

Dy heshtje

Por ka edhe momente të tjera kur ka heshtje, jo thjesht heshtja e dëgjueve ndaj një zëri kur flet, por të një heshtjeje të plotë kur askush nuk flet, kur asnjë veprim nuk ndodh.

Këto heshtje ndodhin pikërisht gjatë Meshës dhe kanë qëllimin e virtytin për të mbajtur një drejtpeshim e për të kompletuar ritmin e brendëshëm të aktivitetit në pjesëmarrjen tonë. Kjo heshtje nuk është as e zbrazët as e vdekur. Nuk është një boshllëk, një lloj zbrazëtie pa fjalë apo aktivitet, ndërkohë që ne presim pothuajse me padurim që diçka të ndodhë.

Në të kundërt, heshtja ka po aq forcë sa fjala apo kënga. Paragrafi i Dekretit të Koncilit të Vatikanit mbi Liturgjinë e Shenjtë, i cili thekson rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të njerëzve në meshë, mbyllet me këtë paragraf: “në kohën e duhur gjithçka duhet të mbajë një heshtj të respektueshme”. Vetëm kur kjo heshtje përdoret deri në fund, atëherë veprimi liturgjik është i plotë.

Që të arrihet heshtja duhen përpjekje. Duhet që ta thërrasim vëmendjen tonë; duhet t'i themi “mirupafshim” për një çast të shkurtër botës së gjallë, grindavece, me gjithë zhurmën dhe shpërqendrimin e vet. Ne e arrijmë heshtjen ndërkohë që vlerësimi i udhëtimit na drejton në atë shenjtërore të brendëshme të zemrës ku ka përgjigje dhe vetëdije ndaj Hyjit, aty ku Ai vjen në “puhizën e frymës së hollë”.

Qetësia në Meshë ka shumë shprehje. Në një moment ne jemi të ftuar që të qëndrojmë në heshtje  “të lutemi”. Dhe ndërsa e rifreskojmë vëmendjen tonë ndaj përkuljes së veshit të Hyjit për të na dëgjuar kur ia prezantojmë nevojat tona personale apo familjare, punën tonë, thyerjet e zemrës gjatë ditës ne e përdorim këtë moment për t'i bashkuar ato dhe t'i bëjmë një me lavdinë kolektive dhe lutjen e mbarë popullit të Hyjit.

Në një moment tjetër, pasi kemi dëgjuar fjalën e Hyjit që është shpallur, e gjithë bashkësia hesht, duke i lejuar fjalët që të zhyten dhe të bluhen në zemër.

Por ka dy momente heshtjeje që kanë një qëllim të veçantë dhe krejt të dallueshëm.

Në fillim të Meshës, pasi kemi kemi lënë gjithçka në botën jashtë, hyjmë në një heshtje që është e shenjtë, sepse është momenti i madh kur ne përgatitemi për të kremtuar misteret e shenjta.

“T'i kujtojmë mëkatet tona”. Ka diçka shumë solemne dhe të bukur rreth kësaj heshtje, ndërkohë që të gjithë njerëzit me përvujtëri i kujtojnë mëkatet e tyre dhe kërkojnë të falur.

 

Një takim në qetësinë e kopshtit

Ashtu si prindërit e parë, ne e kemi shijuar intimitetin e pranisë së dashur të Hyjit, duke ecur me të në qetësinë e mbrëmjes në kopësht; por ne u larguam nga shoqëria e tij me mëkat dhe si çdo mëkatar, instinkti ynë i parë ishte që të fshiheshim. Tani Ai na thërret që të dalim nga ku jemi fshehur, por ne nuk kemi frikë të dalim në praninë e Tij sepse mbajmë mend një kopësht tjetër ku, në heshtje, Biri i tij Hyjnor vuajti aq sa derdhi gjakun e Tij për mëkatet tona. Në praninë e Jezusit në Gjetseman ne nuk flejmë; ne i sjellim mëkatet tona para syve tanë; ringjallim ndjenjën e tronditjes; fillojmë t'i lutemi që të na pastrojë. Pastaj jemi të gatshëm që ta shprehim keqardhjen tonë me zë të lartë dhe t'i kërkojmë të falur.

Heshtja tjetër rrethon ardhjen e tij në Kungimin e shenjtë. Është momenti i falenderimit kur meshtari dhe njerëzit janë të ulur  dhe ky gjest krijon një ndjenjë përgjigjeje. Nuk është e lehtë ta shprehim me fjalë ndjenjën e forcës dhe të misterit për gjithë të bashkësinë e mbledhur në një heshtje të përbashkët dhe një në adhurim.

“Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë: le të heshtojë para tij mbarë toka” (Hab 2. 20). Tani është momenti  pothuajse tepër i thellë për fjalë. Të pastruar nga mëkatet tona, si një tempull i restauruar, ne e përshëndesim Atë me nderim të heshtur ndërkohë që Ai vjen. Gjindet një intimitet për këtë moment ndërsa ne gjejmë paqe dhe gëzim në praninë e tij dhe i flasim si shoku shokut. Këtu është heshtja që mbron sekretet të cilat do t'i ndanim vetëm me të. Kjo heshtje i jep Atij lavdi, sepse hap dyert e zemrave tona për ardhjen e Tij dhe i bën vend.

Në këtë kohë heshtjeje të falenderimit, ne bëhemi më shumë të vetëdijshëm për gëzimin që lidhet në dashurinë e Tij. Sepse për atë që do, është e mjaftueshme që të jetë në praninë e të Dashurit. Kështu, duke e zotëruar Atë, ne jemi gati për të shkuar në paqe duke e mbartur me vete në rrugën e jetës sonë.

 

Vlera e heshtjes

Jemi ne që duhet të krijojmë heshtje në Meshë. Fjalët e Papa Gjon Palit II të shprehura me rastin e vizitës së tij në Nazaret mund të na ndihmojnë që ta kuptojmë vlerën e heshtjes.

“Nazareti na mëson heshtjen. Mund ta gjallërojë vlerësimin e vlerës së heshtjes, atë zakon të admirueshëm dhe të nevojshëm të shpirtit që veçanarisht nevojitet në kohën tonë ndërkohë që jemi të rrethuar nga kaq shumë zhurmë, rrëmujë e shqetësime.”

“O heshtje e Nazaretit, na mëso që t'i vendosim zemrat në gjërat shpirtërore..,. na e mëso vlerën e reflektimit, të lutjes dhe rregullit të saktë të jetës sonë që vetë Hyji e sheh në fshehtësi.”

Heshtja në Meshë me të drejtë quhet “e shenjtë” sepse na ndihmon që të bëhemi të vetëdijshëm për Hyjin. Kur ne bëjmë të pamundurën, Hyji na e shpërblen me hirin e dëgjimit dhe të shikimit. Ai na e ka premtuar. Ai thotë:

“Më dëgjoni në heshtje.”

“Qëndro në heshtje dhe do të shohësh që unë jam Hyji.”

 

 

 

mars - prill 2005

 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster