|
NGA VDEKJA NË RINGJALLJE
Kthehuni e besoni
Ungjillit! Ishin këto fjalë të cilat u shqiptuan nga goja e meshtarëve
ditën e të Mërkurës së Përhirë, teksa shënonin në ballin e besimtarëve
kryqin me hi e që do të ishin një shenjë për fillimin e kohës së
Kreshmeve, kohë në të cilën çdo besimtar katolik ishte i thirrur që të
përkujtonte dhe të jetonte mundimet dhe vdekjen e Zotit tonë Jezu
Krishtit. Këto gjashtë javë do t'i ftonin besimtarët në agjërim trupor e
shpirtëror, në mënyrë që të ishin të gatshëm për të kremtuar ringjalljen
e Tij.
Java e Madhe do të
përjetohej më shumë në jetën e çdo besimtari, kjo për vetë kremtimet të
cilat i parashikon Liturgjia e javës.
Kremtimi i së Enjtjes
së Madhe do të fillonte me Meshën e shenjtë të orës 10.00, e cila u
kremtua nga Imzot Angelo Massafra në bashkëkremtim me të gjithë
meshtarët e kryedioqezës së Shkodrës, Meshë kjo e bekimit të vajrave.
Pasdite në orën 17.00 u kremtua Mesha e Darkës së Fundit, në përkujtim
të darkës së fundit të Zotit tonë Jezu Krishtit dhe të themelimit të
Eukaristisë e të Meshtarisë. Mesha e kremtua nga Imzot Angelo Massafra,
i cili do t'u lante këmbët 12 ministrantëve, veprim të cilin vetë Jezu
Krishti e bëri me 12 apostujt për t'u treguar atyre se ishin të thirrur
për të qenë shërbëtorë e jo zotërinj në shpalljen e Lajmit të Mirë. Në
mbrëmje nga ora 21.00 - 24.00 do të pasonin lutjet e adhurimit të së
Shenjtërueshmit Sakrament.
Të Premten e Madhe në
orën 12.00 u lut Udha e Kryqit, drejtuar nga Famullitari i Shkodrës
Mons.
Lucian
Avgustini dhe grupi i të rinjve “Mësues ku banon”. Kremtimet e pasdites
do të fillonin në ora 15.00 me Liturgjinë e fjalës, gjatë së cilës u bë
leximi i mundimeve të Jezu Krishtit. Më pas u vazhdua me zbulimin e
kryqit nën thirrjen “Ja kryqi i Krishtit”, “Ejani e ta adhurojmë” dhe
puthjen e tij. Pasoi marrja e kungimit nga besimtarët dhe e gjithë
Liturgjia u përjetua me një përshpirtëri të madhe nga të gjithë
besimtarët e pranishëm në katedrale.
E Shtuna e
Madhe ka filluar me lutjet në heshtje, duke përkujtuar orët e Krishtit
në varr. Gjatë gjithë ditës, në oraret e paracaktuara më parë,
besimtarët janë drejtuar drejt kishave për të bërë bekimin e bukëve dhe
të ushqimeve të tjera. Në mbrëmje kremtimi i Meshës së Vigjiljes së
Pashkëve do të fillonte në orën 23.00 me bekimin e zjarrit në oborrin e
katedrales, zjarr ky nga i cili do të ndizej qiriu i Pashkëve. Më pas me
anë të tij janë ndezur edhe qirinjtë e besimtarëve. Gjatë Meshës, kanë
marrë sakramentet e pagëzimit dhe të krezmimit 10 katekumenë, pasi kanë
shpallur besimin e tyre së bashku me nunët e nunat dhe të gjithë
besimtarët e pranishëm në katedrale.
“Për shumë
vjet Pashkët!” “Alleluja, Krishti u ngjall!
Me të vërtetë u
ngjall!”. Me këto përshëndetje ka aguar dita e diel, të cilat janë
shqiptuar nga goja e besimtarëve për të përshëndetur njëri-tjetrin, në
këtë ditë të ringjalljes së Krishtit. Këto përshëndetje janë shqiptuar
edhe gjatë Meshës së orës 10.00, kremtuar nga Imzot Angelo Massafra,
njëkohësisht edhe gjatë Meshës së orës 7.30 dhe 18.00. Këngës të
gëzueshme të këmbanave u është bashkuar edhe refreni kumbues “Alleluja,
Alleluja, Alleluja!”.
Atmosfera dhe këngët
e gëzueshme e Pashkëve kanë vazhduar edhe gjatë ditëve të tjera.
Motrat Engjëllore
të Shën Palit, Shkodër
mars - prill 2005 |