|
|
NJË
PAPË I PAHARRUESHËM
Zef
Simoni, Ipeshkëv
Një nder
ngjarjet e randësishme që pati Kisha këto ditë, Krishtenimi dhe bota,
ishte vdekja e Atit të Shejtë, Papës Gjon Pali II. Kjo ngjau me daten 2
të prillit, ora 21.37' minuta, nësa mbaronte mesha e fjala e ti fort e
lehtë “Amen”.
Vdiq i
264-ti papë që duel prej Lindjes së Europës, nga Polonia katolike aq
heroike, me shumë vjet lufta e mundime e vazhdonte të kishte dhunen
komuniste e diktaturen e Traktatit të Varshavës.
Një
meshtar, një ipeshkev, një kardinal, që u zgjodh Papë e që atëhere do të
luente rolin e madh në të gjitha funksionet e detyrat e Kishës, të
çashtjeve shoqnore dhe shpëtimin e Europës së Lindjes nga diktatura
komuniste, shumë i afert me polakun Lekë Valesa i solidarnostit.
Papa nuk
ishte vetëm një intelektual i shquem, por ishte një personë me kulturë
të madhe e dallohej një nder filozofët e kohës, bante pjesë në rrymen e
neotomizmit që kishte në krye Jean Jack Maritain e paraqiste tue pohue
që të veheshin në veprim 5 rrugët e filozofit e të teologut të madh të
mesjetës, Shën Tomë Akuinit që flet per Zotin, pothuej, harrue nga bota
profane.
Papa Gjon
Pali II kishte shumë dhurata të mëdha prej Zotit: tanë jetën një personë
e lutjeve, e devocioneve, e meditacioneve, thellësisht i të trijave, tue
fillue me dashuninë e madhe që kishte per Krishtin, per Zevendësin e tij
në tokë. I flaktë të shtijë në zemren e njeriut Krishtin foshnje, jeten
e tij, mrekullitë e shumta , sakrificat, mundimet, dekën e të ngjallunit
e tij, Krishtin Shperblyes e Shelbues të njerëzimit, tue jetue intimisht
vepren e Tij në të gjitha çastet e tue vu në lëvizje gjallninë e
pushtetshme të Krishtenimit. Me të njajtën dashuni ndaj Atit që i
atribohet krijesa e Shpirti Shejt, vehtja e Tretë që ruen, mban e
drejton njerëzimin. Kishte dashuni të fortë per Zojen, prej së cilës
kishte e nxjerrë e ba të veten shprehjen shpirtnore: “totus tuus” e ba
sa vizita te shejtnoret e saj, si: të Lurdit në Francë, Fatima e
Lisbonës, Çestokova e Polonisë, Guatemala, Loreto të Italisë. Devocioni
per Zojen e Këshillit të Mirë, i cili para se të vinte në Shqipni, shkoi
te Shejtnorja e Gjenacanit afer Romës, asht ulë në gjuj para figures së
saj e ka gjetë Këshilltaren per të ardhë në Shqipninë e fillimit të
ajrit të ndërruem në qiellin e Zotit. Papa në ditët e para të
pontifikatit të tij njoftoi kardinalët: “Due të shkoj gjithkund, te të
gjithë ata që luten, prej beduinit në stepë e deri te karmelitania e
rregulltari çisterçens në kuvendet e tyne, te i sëmuri që vuen në shtrat
e te njeriu aktiv në kohen ma të miren e jetës së tij, te të shtypunit,
të pervujtunit, gjithkund”.
Do të
takonte mbarë botën e do të pritej per së forti nga ajo. Asht nxitës i
madh i paqes, i bashkimit dhe i vëllaznimit mes njerëzve. E, kur ban
vizitë në Poloni, e shtata vizitë e bame prej tij në Poloni, shkon si
një patriot i madh. Tue qenë si një neotomist i shquem i kohës moderne,
që ka parasysh mësimin e Shën Tomë Akuinasit, që pohon: “Ai që nuk don
atdheun, ban mëkat të madh”.
E vizita të
randësishme do të bajë kudo, si: në Afrikë, Armeni, një tokë katolike me
rrajë të vjetra, në Austrinë katolike per të pershëndetë me fjalët e
Krishtit “Paqja kjoftë me ju”! Fort e randësishme vizita në Kubë, te
Fidel Kastro. Mbas vizitës së Papës në Atinë, Papa do të bante të 93-tin
udhëtim apostolik në gjurmët e Apostullit Pal në rrugën e Damaskut.
Vizita në Siri do të kishte qellim ekumenik e dialog interreligjioz në
xhaminë e Omejadëve në Damask. Papa në xhami ecte me hap të lehtë deri
te memoriali i Shën Gjon Pagëzuesit, ku bani lutje në meditim.
Vizitë bani
në Maltë, tue kujtue Shën Palin prej 1 deri me 27 qershor 2001 vizitë
apostolike në Ukrainë.
Rininë e ka
dashtë fort.. E ajo nuk do t'iu ndante.
As në Paris gati 2 milion të rij, as në Tor Vergata të
Romës, as në Toronto të Kanadasë. Dhe vjeti 2000 do të ishte nder
ngjarjet ma të randësishme të papnisë së tij, i lodhun dhe i sëmurë,
hapi derën e madhe të Kishës së Shën Pjetrit, per t'i lajmue botës
fillimin e mijëvjeçarit të tretë. Në frazën e fundit të jetës së tij,
pak para se të jepte shpirt, i drejtohet rinisë, asaj rini që i ka folë
në takime me ata të shumë vendeve të botës.
Papa asht shumë i
njoftun persa shkrime e enciklika që ka dhanë, tue fillue me encikliken
“Redemptor hominis” e do ta mbyllte me atë të fundit encikliken mbi
Eukaristinë, që mbyllet në tetor të këtij vjeti.
Me Shqipninë do të
kishte punë e do të lutej vazhdimisht e disa kohë, para se të vinte
liria, kohë komuniste e mirëfilltë, prej Puljes së Italisë nder
fjalimet e tij tue u sjellë nga vendi ynë pershëndeti me perzemërsi.
Me lirinë e fesë Shejti
Atë Papë më ka caktue të merrshe pjesë në sinodin e ipeshkvijve, që do
të bahej në Vatikan, me datën 28 nanduer 1991, si perfaqësues i Kishës
Shqiptare dhe njëkohësisht më emnonte famullitar i Shkodrës. Kjo kje
botue me 13 nanduer 1991 në gazetën “Osservatore Romani”.
Sinodin do ta kryesonte
Papa në të gjitha seancat, veç të merkuerës paradite. Unë që ishe
meshtar, do të jepshe bisedën me datën 3 të dhetorit, ditë e marte, tue
qenë se po avitej ora shtatë e mbramjes e po perfundonte data 3, e
njoftoi ipeshkvi belg që ishte kryeorganizatori i mbledhjes se tashti
bisedën do ta kishte Shqipnia. Por fjalët e Papës kjenë këto: “Unë do ta
ndiej tashti Shqipninë”. Biseda ime la shumë jehonë e kjeshë caktue të
shkojshe me grupin e 39 kardinajve dhe ipeshkvijve, ndër 250 kardinaj e
ipeshkvij që ishin në sallë, per të shkue në një darkë në Quirinal te
presidenti e kryeministri i Italisë. Diten e neserme paradite në sinod
mora ftesën nga Selia Shejte në të cilën Papa më ftonte me 6 të dhetorit
per një darkë në banesën e tij. Papa erdhi e unë e fiksova në një
fotografi. Kur mora foton, më thanë se kjo foto asht ndër të bukurat që
gjenden në fototekën e Vatikanit. E herë mbas here, Papa lëshoi sa të
mira në atdheun tonë, të gjitha të mirat.
Papa
lajmonte se do të vinte në Shqipni per të ba vizitën e shugurimin e 4
ipeshkvijve shqiptarë. Kje një ngjarje e jashtëzakonshme që do të kryhej
në një qiell të bukur me daten 25 prill 1993. Persona e tij me rroba të
bardha, me një avion të bardhë paqësuer që e puthi, porsa zbriti në këtë
atdhe të martirizuem me shekuj, per ta vizitue mbrenda një dite e per të
vendosë në qytetin historik të Shkodrës, në Katedralen e fuqishme të
rindertueme hierarkinë kishtare, tue shugurue katër ipeshkvijt. Ati
Shejt kje pritë me gëzim të madh nga elementi katolik, nga shqiptarët
ortodoks, muslimanë, bektashi, nga qeveria. Bani përshëndetjet shejte
tue puthë tokën në aerodrom. Udhën e ka ba me makinë, tue u ndalë rrugës
me popull, në Lezhë, pranë vorrit të Skanderbeut e mandej në Shkodër te
Shejtnorja e Zojës e rrenueme per të arrijtë te Katedralja. Kje ditë e
madhnueshme: u dha pershëndetja e Nuncit Ivan Dias, u tha Mesha, homelia
e Papës, shugurimi i 4 ipeshkvijve të rij, përshëndetja në ballkonin e
arqipeshkvisë, takimi me Nanën Tereze, dreka vëllaznore me Papen e me 5
kardinajt që kishin ardhë me atë e 4 ipeshkvijt e shuguruem të rij,
biseda me fëmijët, takimi me klerin shqiptar, nisja per sheshin e
Tiranës, biseda e shqueme në kryeqytet para një populli të madh,
pershëndetja e largimi nga atdheu ynë me shprehjen fisnike: “Mirë u
pafshim”. Si per kombin polak dhe mbarë botën, edhe per kombin tonë, ky
Papë asht fort i madh, që e vizitoi dhe e puthi tokën shqiptare, i pari
Papë, në 264 papë, prej të cilëve 82 janë shejten lteri, e sa papë tjerë
shumë të mirë e sidomos papët e fundit, Gjon Pali II hyni për të ba punë
shejte që do ta ngjallë Kishen e Shqipninë me fjalën e Zotit,
krishtenimin që e pruni Shën Pali në fillimin e shekullit të parë e do
t'i japin energjinë e madhe martirët e krishtenimit shqiptar, Nana
Tereze e do ta pertrijnë misionarët e vetë shqiptarët.
Papa ka ba
takime të mëdha me sa shtete në botë, si: me ebrejt. Një vizitë fort të
randësishme e ka krye në Jeruzalem. Papa i ka dhanë randësi ekumenizmit
dhe dialogut. Per këtë janë ba takime në Asizi. Ekumenizmi per bashkim
me religjionet e krishtena, si: me kishat ortodokse, protestante e
anglikane. Dialog me besimet jo të krishtena, në mënyrë të veçantë me
islamikët.
Në frazën e
fundit të jetës së tij, pak para se të jepte shpirt i drejtohet rinisë,
asaj rini që i ka folë në takime me të në shumë vende të botës: “Ju kam
kerkue, rini e ju keni ardhë, keni ardhë të më shihni. E per këtë ju
falem nderës”. E mbas fjalës Amen, e shprehun me një za të fiktë, me
mëzi me u ndie, kaloi në amshim Ati i Shejtë.
Papa që
bani aq shumë per paqen, per një paqe pa shtimje, pa finksion, per një
vëllaznim mes njerëzve, per respektin e dinjitetin e shejtë të njeriut,
edhe per një liri të vullnetshme, pa të zezat e të quejtunit korrupsion.
Krejt
perpjekja e tij ishte me shtie në mendjet e zemrat e në jeten e tyne
Trinitetin që asht Ati, e Biri e Shpirti Shejt, Virgjinen, Shejtent që
janë vlera e ndihma e botës. Krejt ideali i tij, lutja që të bashkon me
Zotin, pastria që të falë shejtninë, e dashunia që të çon në lumni.
Eukaristia
per ne asht misteri i fesë, që Krishti në darkën e mbrame ia la mbarë
botës. Kemi gëzimin e madh se ai e sheh tashti realisht në qiell.
Papa Gjon
Pali II ka ndërrue jetë me shumë gëzime, por me një pikëllim në zemër,
thanë prej tij, pse nësa diskutohej kushtetuta e Europës, ai u ka pasë
thanë atyne të mos harrojnë rrajët e krishtenimit. Ata u harruen. Fjalët
e Papës kanë qenë arsyetuese, të pushtetshme dhe historike.
Persëris
këto fjalë të Krishtit e të Atit Shejt, që i ka permendë vazhdimisht
“Mos të kemi frikë, grigjë e vogël”. Këto fjalë janë të shejta, krejt
orientuese dhe na çojnë te e ardhmja jonë qiellore.
Redaksia
mars - prill 2005 |