|
FIRMOSET
PAQJA FETARE
Tiranë,
18 Mars 2005
Kryetarët e
katër komuniteteve fetare në Shqipëri, atij katolik, ortodoks, mysliman
dhe bektashi, nënshkruan Deklaratën e Angazhimeve të Përbashkëta.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, Kryepeshkopi i
Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastasi
Janullatos, Shkëlqesia e Tij Monsinior Rrok Mirdita dhe kryegjyshi
botëror Haxhi Dedë Reshat Bardhi, firmosën të parën deklaratë publike,
ku angazhohen për vazhdim dhe promovim të një atmosfere paqësore brenda
komuniteteve fetare. Ata theksuan në prani edhe të Kryeministrit Fatos
Nano, se “predikimi në asnjë rast nuk duhet të nxisë urrejtje fetare”.
Ndërkohë, shefi i qeverisë shqiptare, në përshëndetjen e tij, tha se kjo
firmosje vjen në kohën e duhur: në kohën e ripërtërirjes dhe të
konsolidimit të institucioneve të lirisë së besimit, në një hap me
zhvillimin e shoqërisë sonë demokratike e civile dhe me konsolidimin e
shtetit ligjor dhe të marëdhënieve të Shqipërisë, në botën e
qytetëruar”. Ndërsa, Emili Kruniç, drejtore Rajonale e Konferencës
Ndërkombëtare “Fetë për paqe”, tha se “është një fakt i njohur që
komunitetet shqiptare të Shqipërisë kanë vuajtur shumë për katër dekada,
por pavarësisht nga këto vështirësi, gjithsesi komunitetet fetare ishin
në gjendje të krijonin një traditë mirëkuptimi shumë tolerant”.
Angazhimet
e komuniteteve fetare:
Ne do të
vazhdojmë t'i përkushtohemi lutjeve për të ushqyer tolerancën,
bashkëjetesën dhe paqen, si në komunitetet tona, ashtu dhe për të gjithë
shoqërinë shqiptare. Ne angazhohemi gjithashtu të vazhdojmë të
promovojmë një atmosferë paqësore brenda komuniteteve tona, duke ua
theksuar klerikëve tanë se predikimi në asnjë rast nuk duhet të nxisë
urrejtje fetare.
Do të
vazhdojmë të edukojmë të tërë, që të mirëkuptojnë dhe respektojnë
traditat tona të ndryshme fetare, në nënyrë që të parandalojnë mosdijen
dhe frikën, nxitjen e diskriminimit dhe dhunës. Për këtë qëllim duhet të
kemi sigurinë se programet dhe tekstet shkollore trajtojnë çdo fe në
mënyrë të barabartë dhe të hapur.
Do të
vazhdojmë të jemi të hapur për bashkëpunim me organizata të tjera,
civile e sociale, për të realizuar veprimtari të përbashkëta, për të
cilat jemi të interesuar.
Do të
vazhdojmë të bashkëpunojmë me anën e takimeve të ndërsjellta për
ruajtjen dhe promovimin e mirëkuptimit fetar në Shqipëri e rajon.
Do të
vazhdojmë të angazhohemi për gjetjen e mjeteve për të siguruar ndihmesë
për ata që vuajnë në mënyra të ndryshme në shoqërinë tonë.
Komunitetet
fetare u bëjnë thirrje autoriteteve:
Të mbrojnë
lirinë e të gjithë përfaqësuesve të autorizuar ose udhëheqësve fetarë,
që të përmbushin misionin e tyre.
Të mbrojnë
komunitetet fetare tradicionalë nga çdo person apo grup (brenda dhe
jashtë komunitetit), i cili kërkon të uzurpojë emrin, pronat, simbolet
apo vulën e komuniteteve fetare. Në raste të tilla, mendojmë se është e
domosdoshme ndërhyrja energjike e shtetit, në favor të mbarëvajtjes së
veprimtarisë së këtyre komuniteteve.
Të
sigurojnë mbështetje për zhvillimin e një shoqërie të fuqishme civile,
duke përshtatur ligje, rregulla financiare dhe politika të tjera, që të
sigurojnë kushtet e duhura për zhvillimin e mëtejmë të komuniteteve
fetare.
Të
promovojnë dhe praktikojnë në vijueshmëri demokracinë, të drejtat e
njeriut dhe shtetin ligjor.
Të punojnë
për rezulutën mbi statusin ligjor të komuniteteve fetare për t'u kthyer
atyre pronat që iu shtetëzuan apo konfiskuan në të shkuarën.
Të
zhvillojnë në media praktika të tilla, të cilat nuk përçajnë, nuk bëjnë
thirrje për mosbesim dhe armiqësi ndërmjet njerëzve, por mund të
kontribuojnë për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme demokratike.
Në këtë
kuadër ne i bëjmë gjithashtu thirrje medias të jetë e drejtë dhe e
respektueshme në trajtimin e temave fetare.
Marrë
nga gazeta Ballkan, Mars 2005
mars - prill 2005 |