ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

PUSHOFSH NË PAQE, ATI I SHENJTË, PAPA GJON  PALI II

Ceremonitë e zhvilluara në Kryedioqezën Shkodër - Pult 

 

Janë këto fjalët që besimtarët katolikë në mbarë botën dhe në vendin tonë shqiptuan gjatë tetë ditëve, që nga ora 21. 37' të datës 2 prill 2004, kur pushoi së rrahuri zemra e Atit të shenjtë Papës Gjon Pali II deri në datën 8 prill kur u zhvillua ceremonia mortore e varrimit. Pra mbarë bota i dha lamtumirën e fundit këtij njeriu të madh, në meshën organizuar në Sheshin e Shën Pjetrit.

 

Ditën e diel, më 3 prill 2005, ora 18.00, në kishën katedrale të Shkodrës u kremtua Mesha e përshpirtjes, e udhëhequr nga Shkëlqesia e tij Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropolit  i Kryedioqezës Shkodër  Pult, në bashkëkremtim me Shkëlqesinë e tij Imzot Zef Simoni dhe 13 meshtarë të urdhërave të ndryshëm fetarë. Në homelinë që mbajti prelati në fjalë, mes të tjerash u ndal në disa aspekte të jetës së Atit të shenjtë, si dhe e vuri theksin tek pjesë të shkëputura të fjalimit që Ati i shenjtë mbajti në vizitën e tij historike  të 25 prillit 1993 në ballkonin e Arqipeshkvisë.  Do ta përfundonte homelinë me vlerat e mëdha të këtij Pape të madh, të Nënë Terezës, të cilën e shpalli “të lume” një vit më parë, më 19 tetor 2003, si dhe e mbylli me fjalët “O Zoja e Shkodrës, Pajtorja e popullit shqiptar, lutu për ne!”

Pas kësaj Meshe, besimtarët e shumtë që kishin ardhur për të marrë pjesë, u rreshtuan tek truporja e Atit të shenjtë, punuar me bronz (të cilën vetë Ati i shenjtë e solli në Shkodër në 1 vjetorin e vizitës së tij) për të ndezur qirinj e për t'u lutur për shpirtin e tij.

Nderonin me pjesëmarrjen e tyre në këtë meshë Kryetari i Këshillit të Qarkut Z. Lorenc Luka, kryebashkiaku Z. Artan Haxhi, konsulli italian në Shkodër Z. Roberto Orlando, përfaqësues të komuniteteve fetare të qytetit dhe të ftuar të tjerë.

Ndërkaq në datat 4-9 prill kanë vazhduar homazhet, pjesëmarrjet në Meshë, adhurimi i të Shenjtërueshmit Sakrament. Në pasdreken e datës 5 prill, Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër-Pult, organizoi pritje për autoritetet vendore, përfaqësuesit e degëve të partive në rreth, të komuniteteve fetare, si dhe të individëve të veçantë. Me këtë rast, si në vendin e pritjes, ashtu edhe pranë trupores së Papës, ishin të vendosur “librat”, ku secili, sipas dëshirës, shprehte ngushëllime e vlerësime për këtë Atë të shenjtë. Sheshi Gjon Pali II, pranë Arqipeshkvisë, çdo natë është mbushur me besimtarë, të cilët, përmes ekranit të madh, kujtonin çaste nga jeta e Papës, nga vizitat e tij, porositë, fjalimet dhe homelitë që mbajti gjatë mëse 26 vjetëve të Pontifikatit të tij. Radio Maria, Radio Shkodra, Zëri i Amerikës, Deutsche Welle, BBC-ja, përmes korrespondentëve të tyre në Shkodër, dhanë lajme, emisione dhe pasqyruan konkretisht  veprimtaritë e planifikuara për këtë rast. Janë ndezur qirinj e janë bërë lutje jo vetëm në kishat e qytetit, por edhe në familje, si në qytet, ashtu edhe në famulli të ndryshme të kësaj Kryedioqeze, gjë që flet për vlerësimet dhe konsideratat që ka patur e ruan për këtë figurë të madhe të Kishës Katolike në botë. Edhe fotografitë e ndryshme me pamje nga vizita e 25 prillit 1993 flasin qartë për këtë vizitë të paharruar.

Pika kulmore e këtyre veprimtarive fetare, sigurisht ishte në ditën e 8 prillit, ditën kur do të zhvillohej funerali i varrimit. Përmes ekraneve të televizioneve të ndryshme u ndoq Mesha e përshpirtjes, e udhëhequr nga Kardinali Joseph Ratzinger, homelia e mbajtur prej tij me këtë rast, si dhe ceremonia e varrimit, në të cilën morën pjesë mbi 200 Presidentë, Mbretër dhe Kryetarë shtetesh, Delegacione të besimeve të ndryshme nga e gjithë bota, e mijëra shtegtarë të tjerë, të cilët ishin jashtë Sheshit të Shën Pjetrit, si dhe të një numri të madh që e ndiqnin këtë ceremoni, e cila u zhvillua me një organizim të përsosur dhe me masa të forta sigurie.

Me datën 8 prill, në ora 18.00, në Katedralen e Shkodrës, u zhvillua mesha e përshpirtjes, të cilën e udhëhoqi Mons. Lucian Avgustini, Vikar i përgjithshëm i Kryedioqezës Shkodër  Pult, në bashkëkremtim me 6 meshtarë. Në homelinë që mbajti me këtë rast, oratori portretizoi figurën madhore të Atit të Shenjtë, vlerat e tij, kontributin që ka dhënë për paqen në botë. Ai u rikujtoi besimtarëve të shumtë pjesë nga fjalimet që Ati i shenjtë mbajti në Shkodër e në Shqipëri para 12 viteve, në vizitën e tij baritore  dhe në shugurimin e katër  ipeshkvinjve të rinj. Po ashtu përsëriti edhe vizitat, enciklikat, shpalljet e “shenjtërve” dhe të “lumëve” të një numriu të madh (përfshi këtu edhe Nënë Terezën shqiptare) dhe e mbylli homelinë duke falenderuar besimtarët, të cilët gjatë këtyre ditëve ndoqën veprimtaritë e shumta fetare, si dhe drejtuesit e organizatorët që ndihmuan në realizimin e tyre.

Pas Meshës, sërish besimtarët u mblodhën në Sheshin Papa Gjon Pali II, kësaj here për homazhe në nderim të kësaj figure të madhe, si dhe për të ndjekur programet që do të jepte orkestra frymore e qytetit dhe kori polifonik “Prenkë Jakova”, shoqëruar me pamje të ndryshme nga jeta dhe veprimtaria e Papës gjatë viteve të Pontifikatit, si dhe nga ceremonia e varrimit në paradrekën e ditës në fjalë. Me këtë rast, si Mons. Luciani, po ashtu edhe Dom Gjovalin Sukaj (i cili drejtoi me aftësi dhe ndihmoi në realizimin e programit në fjalë), falenderuan Z. Reshat Zaganjori, drejtor i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, Z. Kujtim Alia, drejtues i orkestrës frymore, si dhe Z. Gjon Shllaku, drejtues i formacionit koral. Homazhet u mbyllën me këngën “Zoja e Shkodrës”, kënduar nga kori e shoqëruar edhe nga besimtarët.

Pas këtyre veprimtarive Kisha fillon nëntëditëshin e zisë, deri më datën 19, kur do të fillojnë punimet në Konklavë, për zgjedhjen e Papës së ri, pasardhësit të Gjon Palit II.

Lec Zadeja

 

mars - prill 2005

 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster