|
Njerëz dhe
Vetmi
DOM
LAZËR SHANTOJA (1892-1945)
SHKRIMTAR ORIGJINAL NË POEZI DHE NË PROZË.
Ka lindur
në Shkoder, në një familje tradicionalisht të shquar për patriotizëm,
për intelektualizëm dhe për kontribut të vlefshëm në fushën e
albanologjisë.
Lazër
Shantoja lindi në Shkodër më 2 shtator 1892, nga babai Keli dhe nëna
Luçe. Arsimin fillor e ka kryer në Kolegjin Saverian dhe në Seminarin
papnor në Shkodër, rreth viteve 1909-1910. Pikërisht në këtë kohë,
dërgohet në Austri, për të kryer studimet teologjike ne Insbruk. Me
kthimin në atdhe, gjatë kohës së Luftës I Botërore, caktohet sekretar i
Ipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedës. Më pas caktohet si famullitar
në Velipojë, në Rrjoll e për shumë kohë, deri më 1924 në Sheldi.
Me asnjë
funksion gjatë viteve të Luftës, përveç se klerik, pasi ndiqet nga
forcat e sigurimit, fill pas çlirimit kapet dhe pasi torturohet,
ekzekutohet më 5 mars 1945 në Shkodër.
U lind në Shkodër me 2
Shtatuer 1892. Ndoq rrugën e meshtaris dhe në Seminarin Papnuer të këtij
qyteti bani këndimet e veta, të cilat i plotsoi n'Austri. Që në rinin e
parë tregoi squeti, mendje e aftësi shkrimtari me pjesë poezije dhe
prozë, sidomos ndër të përkohshme. U ba i njoftun në mënyrë të veçantë
me përkthimin e veprës së famshme të Schiller it “Kumbona” dhe me pesë
tingllimet origjinale nën kryetitullin “Zog Mali” të botueme së dyti në
revistën “Cirka”.
Në kohën e lëvisjeve të
mbrendshme partizane që ndodhën në Shqipni në 1923-24, D. Lazër Shantoja
hyni në rrymën politike dhe pati rast të çfaqi zotsin e vet si orator i
zjarrtë dhe si vjershatar satirik në fletoren “Ora e Maleve”. Nga
ndrrimi i shpejtë i gjendjes politike në Shqipni, D. Lazri doli prej
atdheut dhe voiti në Zvicër si famullitar i fshatit La Motte, ku qëndroi
për pesmbdhetë vjet tue punuem dhe tue dëshiruem tokën amtare.
Gjendja e re, e krijueme
në Shqipni me 7 Prill 1939, i çeli rrugën, si shum të mërguemve të tjerë
edhe D. Lazrit për të këthyem tishtas n'atdhe.
Don Lazër Shantoja si shkrimtar origjinal në poezi dhe në prozë.
Ndër pesë tingëllimet
“Zog Mali” të nëntitullueme: “Duhija”, “Lamtumirë”, “Mërgimi”,
Kështjelli” dhe “Barija” auktori, siç duket, parafëtyron alegorisht
vuajtjet e rrebëta që pëson shqiptari, i cili gjenë prehje vetëm në
soditjen e një Kështjelli, lavdi e kohës së kalueme. Po origjinaliteti i
vërtetë i këtij shkrimtari qëndron ndër vargjet satirike plot ironi e
sarkazëm që u botuenë në shtyllën Ora ndër valle t'Ores së Maleve. Në
prozë kemi një radhë shkrimesh nën titullin “Kodra mbas bregut” të
botueme në të përkohshmen “Cirka”. Ato janë nji prodhim letrar pothuej
“siu generis” në shqipe, me të cilat auktori në nji gjuhë popullore të
gjall e argtuese vehet së largu në përpjekje me doke dhe jetesë typike
shqiptare; sidomos kur theksohet kontrasti i mentalitetit të vjetër me
atë të të rivet, lexuesi vetvetiut zberthen në nji gaz shpirtnuer.
D. Lazër
Shantoja si orator.
Aftësinë e
tij oratorike e dishmuene fjalimet e zjarrta që mbajti shpesh në
perjudhën e manifestimeve të 1923 24. Do të mbetet e paharrueshme
biseda e flakët dhe e thekshme që D. Lazri bani në funeralin madhshtuer
t'Avni Rustemit. Aso kohe u tregue orator i fortë në kuptimin e vërtetë
të fjalës, në qoftë se orator quejmë atë që tronditë shpirtent dhe
terhjek mbas vehtes turmat e popullit.
D. Lazër
Shantoja si përkëthyes.
Përkëthimi
i kryeveprave poetike germane asht fushata në të cilën ky shkrimtar i
vlertë erdhi tue çfaqë përherë e ma zotsin dhe pasjonin e vet. “Kumbona”
e Schiller it dhe “Flutura” qenë ma të parat provë. Në vitin 1935 nisi
të botohet në të përkohshmen “Leka”. Hermandi e Dorothea, ai poemth aq i
ambël, të cilit përkthyesi i dha shpirt e natyrsi thjesht shqipe, nonse
njimbdhetrrokshi në ndonji vend mbahet pak me të vështir.
Don Lazri
asht kah ep kontributin e vet të lart në letratyrën tanë me përkëthimin
e kryeveprës goethiane “Faust”. Ato pak fragmente që kemi pam deri tani
na rrëfejnë se edhe gjuha shqipe, me anën e nji pende së vaditun, mund
të shprehi mendimet e thella filozofike të nji zheniu german.
Stili
dhe gjuha
D. Lazër
Shantoja përgjithsisht ka stil populluer të rrjedhshëm dhe dinamik;
shprehja e tij priret drejt nji gjuhe ma të përbashkët që përdorin
shkrimtarët e ri të Gegnis.
D. Lazri
vazhdon të shkruejë gjithnji ndër fletore e të përkohshme; kultura e
tij, që bazën e ka në klasicizëm, ka ardhë tue u pasunuem për hir të
gjuhëve: germanishte, frengishte dhe italishte, të cilët i njeh fare
mirë dhe i zhfrytzon me përfitim të plotë.
V.O. Përsa
i përket botimit të ndonji pjese së zgjedhun n'Antologji si nga veprat
origjinale si nga përkëthimet, jam i mejtimi të pyetet dhe të vendosi
vet' auktori.
Henrrik
Lacaj
Shkodër,
Kallënuer 1941
A.Q.Sh,
Fondi, 437.D. 55. f. 15.
Përgatiti: Dom Nikë Ukgjini
mars - prill 2005 |